Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hungaria kërkon që anëtarësimi i Serbisë në BE të mos kushtëzohet me Kosovën

Në një intervistë për agjencinë kroate të lajmeve Hina, Szijjarto ka thënë se kushtëzimi i anëtarësimit të Serbisë në BE me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën është "i padrejtë" ndaj Beogradit, sepse "kjo gjë nuk varet vetëm nga Serbia". "Izolimi i Serbisë është taktika më e keqe e mundshme", tha Szijjarto

Ministri i Punëve të Jashtme i Hungarisë, Peter Szijjarto, ka thënë të martën se Serbia “është e gatshme” për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian (BE), duke shtuar se anëtarësimi i saj në bllok nuk duhet të kushtëzohet me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Në një intervistë për agjencinë kroate të lajmeve Hina, ai tha se kushtëzimi i anëtarësimit të Serbisë në BE me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën është "i padrejtë" ndaj Beogradit, sepse "kjo gjë nuk varet vetëm nga Serbia".

"Izolimi i Serbisë është taktika më e keqe e mundshme", tha Szijjarto.

Kreu i diplomacisë hungareze tha se Serbia është “e gatshme të hyjë nesër në BE", dhe se pa të, si vendi "më i madh dhe më i fortë" në Ballkanin Perëndimor, "nuk ka stabilitet në bllok".

Szijjarto e shpjegoi retorikën e shpeshtë antiperëndimore dhe antievropiane të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me një ndjenjë zhgënjimi për shkak të mungesës së përparimit drejt anëtarësimit, pavarësisht “kritereve të përmbushura”.

Edhe Kosova kërkon izolimin ndërkombëtar të Serbisë Arbëri Kosova kërkon izolimin ndërkombëtar të Serbisë

"Unë besoj se qasja e burokracisë nga Brukseli duhet të ndryshojë ndaj saj [Serbisë]", tha ministri hungarez.

Serbia është kandidate për t’u bërë anëtare e BE-së prej vitit 2012, ndërsa bisedimet për anëtarësim i hapi në vitin 2014.

BE-ja paralajmëron rregullisht se shpejtësia e procesit të anëtarësimit të Serbisë në bllok do të varet nga përparimi i saj në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i cili ndërmjetësohet nga Brukseli.

Szijjarto tha gjithashtu se projekti i BE-së nuk do të përfundojë derisa të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtare të saj.

Edhe Konjufca: Kërkojmë trajtim të barabartë e të drejtë nga BE-ja, të nisin negociatat për anëtarësim Arbëri Konjufca: Kërkojmë trajtim të barabartë e të drejtë nga BE-ja, të nisin negociatat për anëtarësim

“Brukseli ka nevojë për rajonin [Ballkanin Perëndimor] më shumë sesa rajoni për të”, tha ai.

Szijjarto njoftoi se gjatë presidencës së BE-së në gjysmën e dytë të këtij viti, Hungaria do të theksojë përshpejtimin e këtij procesi, pasi “kjo do t'i japë BE-së freski dhe vrull të ri”.