Arbëri

Hoxhaj: Lajçaku ka përfaqësuar interesat e Serbisë, Kurti ka rënë në kurth

Enver Hoxhaj

Deputi i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka akuzuar emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, se ka përfaqësuar interesat e Serbisë dhe se kryeministri Albin Kurti ka rënë në kurth. 

“Unë mendoj se Lajçaku ja ka bërë goditjen më të madhe Republikës së Kosovës, ka përfaqësuar interesat e Serbisë dhe z. Kurti ka rënë këtu në kurth, kur ka dalë me marrëveshje bazike e jo marrëveshje për njohje të ndërsjellë e marrëveshje obligative ligjore. Ka qenë kërkesë e BE-së, vetë Gjermania më 2012 ka dalë me ide të një marrëveshje obligative ligjore”, ka thënë Hoxhaj. 

Hoxhaj ka thënë se vetë përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borell, në fjalimin e fundit para ministrave të jashtëm ka thënë se “ka qenë kërkesë e Kurti që të hiqet dorë prej dialogut të kaluar, që ka pasur vetëm një qëllim marrëveshje obligative ligjore”. 

Hoxhaj ka thënë se BE-ja ka bërë gabime marramendëse me mënyrën se si ka udhëhequr dialogun. 

“Bashkimi Evropian ka bërë gabime marramendëse me mënyrën se si e ka udhëhequr dialogun. BE-ja po ashtu ka goditur Pakon e Ahtisaarit. Ky është shqetësimi im. BE-ja po ashtu ka goditur dialogun që e ka iniciuar vetë, ku z. Lajçak ka dalë me planin franko-gjerman, që nuk duhet të ketë njohje të ndërsjellë, që nuk duhet të ketë marrëveshje obligative ligjore, që nuk duhet të ketë raporte kontraktuale, që e mbyllin temën e konfliktit 200-vjeçar mes Kosovës e Serbisë... Në fakt e ka goditur tërësisht idenë e një Kosove multietnike në veri të vendit, e ka goditur edhe thelbin e idesë së normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe këtu e kam shqetësimin unë”, tha Hoxhaj. 
 


Hoxhaj: Jam i sigurt se Bedri Hamza do të jetë kryeministri i ardhshëm, Kurti është e kaluara

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, shprehet i sigurt për fitore në zgjedhjet e ardhshme në vend.

Ai thotë se shkurti do ta përcaktojë fitoren e Bedri Hamzës si kryeministër, e se Qeveria e Albin Kurtit do t’i përkasë së kaluarës.

“Bedriu ka një emër brenda dhe jashtë PDK-së si njeri i duhur që garon pë rkreyeministër. Jam i sigurt që ai do jetë kryeministër që do ta udhëheq Qeverinë e Kosovës. Albin Kurti është e kaluara dhe duhet të vendoset në shkurtin e ardhshëm që do të jetë e kaluara në këtë vend”, shprehu ai.


Hoxhaj: Kurti me qëllim po i ik normalizimit të raporteve, edhe Serbia e do këtë

Nënkryetari i Kuvendit nga PDK-ja, Enver Hoxhaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti me qëllim po i ik normalizimit të raporteve me Serbinë. Dhe sipas tij, edhe Serbia e do të njëjtën gjë.

Hoxhaj ka theksuar se situata në veri është platformë që e mban në pushtet edhe Kurtin edhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

“Shoh që Kurti me qëllim po i ik normalizimit të raporteve me Serbinë, Serbia nuk do që të ketë raporte normale me Kosovën. Serbia dëshiron që Kosova të mbetet shtet i papërmbyllur, i pakryer, mos të ketë asnjëherë ndonjë detyrim ndërkombëtar... se Kurti në thelb është projekt nacionalist për shtetin e Kosovës, Vuçiqi është projekt hegjemonist për Ballkanin dhe në momentin kur këta do të arrinin marrëveshje, kur raporti do të ishte normal, as Kosova e as Serbia nuk do të kishin nevojë për profile të tillë politikanësh si Kurti. Këta i ikin marrëveshjeve ndërkombëtare, qesin kushte vazhdimisht për zbatim apo moszbatim të marrëveshjeve me idenë e vetme që të ruajnë pushtetin. Situata në veri është platformë që ta mban Kurtin në pushtet në Kosovë dhe Vuçiqin në Serbi”, ka thënë ai në “Konfront”.


Hoxhaj: Sot Kosova më shumë i ngjan Tajvanit, edhe Palestina po merr njohje, ne jo

Enver Hoxhaj nga PDK e ka kritikuar Qeverinë duke thënë se Kosova sot po i ngjan Tajvanit. Ai ka thënë se nuk ka pasur asnjë njohje të re katër vjetët e fundit, për dallim nga vitet e mëhershme.

Shqetësuese ka thënë se e sheh që Palestina nën udhëheqjen e Hamasit po merr njohje, e Kosova jo.

“Nuk dua ta shoh Republikën e Kosovës, e cila më 2024 më shumë i ngjan Tajvanit, një lloj tajvanizimi i Kosovës, sesa i përngjan Republikës së Kosovës që më 2008 e deri më 2020 kanë marrë nga 20 njohje e anëtarësime në organizata ndërkombëtare. Nuk iu bën përshtypje nëse përjashtohemi edhe prej Procesit të Berlinit, jetojmë si një provincë e vetëkënaqur. Kurti ka thënë se nuk e pranon Ballkanin e Hapur, se është për Procesin e Berlinit. Tash as Procesi i Berlinit nuk po i bjen tamam”, ka thënë ai në “Konfront”.

“Shqetësimi im është që Palestina është duke marrë njohje ndërkombëtare nën udhëheqje të Hamasit, prej Spanjës, Sllovenisë, Irlandës. Ky vend qe 5 vjet nuk e ka marrë asnjë njohje”.


Hoxhaj: Serbia po bën përpjekje ta vrasë Pakon e Ahtisaarit, veprimet e Kurtit në këtë linjë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se Serbia po bën përpjekje ta vrasë Pakon e Ahtisaarit dhe sipas tij, veprimet e kryeministrit Albin Kurti përkojnë me këtë linjë.

Në një intervistë në “Konfront” të KTV-së, Hoxhaj ka thënë se është hera e parë në histori të dialogut që NATO-ja e konsideron Kosovën si problem të sigurisë – pas takimit të sotëm të ndihmëssekretarit të NATO-s me kryenegociatorët në Bruksel.

“Nëse e kam parasysh çka ka ndodh sot në Bruksel, kjo tregon shumë për atë që po ndodh në Kosovë. Lajmi i parë është që në takim ka marrë pjesë edhe ndihmëssekretari i NATO-s, ku i është thënë palëve se ura nuk mund të hapet pa dialog. Asnjëherë në histori të dialogut nuk ka ndodhur që një përfaqësues i NATO-s të shkojë në zyrat e BE-së dhe ta shtrojë temën e Urës së Ibrit, veriut, pra ta trajton Kosovën si problem i sigurisë. Kjo është prej parametrave më të dëmshëm në Republikën e Kosovës. Serbia ka kërkuar të zgjerohet territori i Mitrovicës së Veriut për t’u hapur ura, nëse këto dy gjëra do të vendoseshin në kontekst do të thotë kështu: Serbia po bën përpjekje ta vrasë Pakon e Ahtisaarit dhe veprimet e Kurtit përkojnë me politikën që të përmbyset Pakoja e Ahtisaarit. Qytetarëve mund t’iu duken mirë disa hapa që ka bërë Kurti me postat, me dinarin, me tabelat, reciprocitetin, postat... por dialogu është në koma, në prag të vdekjes dhe Kurti bën përpjekje ta ndjekë një politikë duke krijuar fakte në terren në shërbim të idesë të zgjerimit të sovranitetit të Kosovës, ta ruan integritetin territorial dhe paralelisht Serbia bën përpjekje ta godet Kosovën ndërkombëtarisht”, ka thënë ai.

Hoxhaj ka theksuar se Serbia nesër pritet të nënshkruajë marrëveshjeve energjetike me SHBA-në.

“Para dy-tre javësh Serbia nënshkroi marrëveshje për partneritet ushtarak dhe ekonomik me Francën, me BE-në nënshkroi për të pasur qasje në litium. Nëse dikujt i duket që politika e fakteve në veri është duke mbushur idenë e një shteti sa më sovran, Serbia është duke hequr shtyllat e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Përtej fitimit simbolik, ne po humbim në rrafsh strategjik sa s’mund të paramendohet nga ata që i shikojnë lajmet”, ka shtuar deputeti i PDK-së.