Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoxha: Opozita e dezinformoi Grupin Punues të BE-së për vizat

Ministrja për Integrim Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë se opozita ka dezinformuar anëtarët e Grupit Punues nga Bashkimi Evropian për liberalizim vizash (COWEB) për kosovarët, gjatë vizitës së këtij ekipi në Kosovë.

Në një postim në Facebook ajo ka thënë se disa deputetë të opozitës, “në vend se t’i gëzohen kësaj vizite dhe të kontribuojnë pozitivisht, me sjelljet e tyre kanë dezinformuar anëtarët e COWEB dhe kanë qenë destruktiv gjatë takimeve”.

Hoxha ka thënë se disa opozitarë po kontribuojnë në krijimin e një imazhi negativ për vendin dhe po e dëmtojnë procesin e liberalizimit.

“Është e turpshme që disa përfaqësues të partive opozitare i kontribuojnë krijimit të imazhit negativ për vendin dhe po dëmtojnë procesin e liberalizimit të vizave në këtë fazë finale. Nuk ka asgjë më të turpshme se kur të zgjedhurit e popullit nuk janë në shërbim të këtij të fundit por të agjendave personale. Janë të njëjtit ata që thoshin se Kosova nuk i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave dhe përgjigjen më të mirë e morën kur Komisioni Evropian e konfirmoi përmbushjen e kritereve dhe njohu progresin dhe punën e institucioneve tona. Të njëjtën përgjigje do ta marrin sërish, liberalizimi i vizave do të ndodh dhe askush nuk do ta ndaloj lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë”, ka shkruar më tej ajo.

Më herët gjatë ditës, kritikë të ngjashme drejt opozitës pati edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, por këtë e kishte quajtur akuzë naive dhe të pabazë shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.