Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoti i kundërpërgjigjet Hoxhajt për takimin me Grupin Punues të BE-së për vizat

Foto: Driton Paçarada

Pas deklaratës së zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj se opozita i ka thënë jo liberalizimit të vizave për kosovarët gjatë një takimi me Grupin Punues nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave (COWEB), që e vizitoi Kosovën për herë të parë, ka reaguar shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.

Sipas Hotit, ai ka garantuar përfaqësuesit e BE-së se LDK-ja mbështet fuqishëm agjendën euro-integruese të Kosovës.

Ai ka thënë se ka kërkuar që të respektohet vullneti i qytetarëve të Kosovës për dialogun me Serbinë dhe se tërësia territoriale e Kosovës është e pacenueshme dhe s’mund të jetë pjesë e dialogut.

“Në takimin e sotëm me përfaqësuesit e të gjitha vendeve të BE-së, i kam siguruar se LDK-ja e mbështet fuqishëm agjendën euro-integruese të Kosovës. Si opozitë kemi mbështetur reformat dhe marrëveshjet në mes të Kosovës dhe BE-së që burojnë nga MSA-ja. Ne si opozitë kemi thirrur seancë të jashtëzakonshme për marrëveshjet që burojnë nga MSA dhe i kemi votuar të gjitha. I falënderova për mbështetjen në Parlamentin Evropian pro liberalizimit të vizave dhe kërkova që sa më parë të përmbyllet kjo çështje edhe në Këshillin e Ministrave, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mos mbesin të vetmit në Ballkan që nuk mund të lëvizin lirshëm. Për temën e dialogut me Serbinë, kërkova që të respektojnë vullnetin e qytetarëve të Kosovës, shprehur përmes të gjithë përfaqësuesve të qytetarëve në Kuvendin e Kosovës, se tërësia territoriale e Kosovës është e pacenueshme dhe nuk mund të jetë pjesë e dialogut. Dialogu mbetet i vetmi mekanizëm për zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe gjuha nxitëse duhet të dënohet”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Sipas Hotit, deklarata e Hoxhajt se opozita pati sjellje për keqardhje, e dëmton besimin mes pozitës e opozitës.

“Akuza naive dhe e pa bazuar e zv.Kryeministrit Hoxhaj dëmton rëndë besimin në mes të pozitës dhe opozitës në të vetmen çështje në të cilën ne kemi dhënë përkrahje pa rezervë”, ka shtuar ai.