Pas zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj, ministres së Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, edhe ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka akuzuar partitë opozitare se kanë dezinformuar Grupin Punues të BE-së COWEB rreth liberalizimit të vizave.
Ministri Tahiri ka thënë se është për keqardhje se si partitë opozitare zyrtarëve të BE-së ua kanë shpalosur vetëm anën e errët të Kosovës, duke krijuar imazh negativ dhe duke e dëmtuar procesin e lëvizjes pa viza për kosovarët, raporton KTV.
Por, LDK-ja i quan të pavërteta dhe krejtësisht të pabaza deklaratat e zyrtarëve qeveritarë të PDK-së.
Shefi i deputetëve të kësaj partie, Avdullah Hoti, ka thënë se është pikërisht opozita që po i çon proceset integruese përpara.
Gjatë dy ditëve të qëndrimit në Kosovë, Grupi Punues për vendet e Ballkanit Perëndimor ka takuar zyrtarë qeveritarë dhe grupet parlamentare për t’u informuar për arritjet në fushën e sundimit të ligjit dhe për situatën politike në vend.