Arbëri

Hoti: Sot u cenua rendi kushtetues i Kosovës në Kuvend

Avdullah Hoti

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se të premten në Kuvendin e Kosovës është cenuar rendi kushtetues, pasi sipas tij, kryeministri Albin Kurti dhe anëtarët e Qeverisë kanë refuzuar të përgjigjen në pyetjet parlamentare të deputetëve.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se deputetët janë kushtëzuar të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare, për çka Hoti ka thënë se është sulm ndaj ndarjes së pushteteve dhe hierarkisë kushtetuese të institucioneve.

“Sot, në Kuvendin e Kosovës është cenuar rendi kushtetues i Kosovës: kryeministri dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë kanë refuzuar të përgjigjen në pyetjet parlamentare të deputetëve, duke i kushtëzuar deputetët me votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. E vërtetë është se një pjesë e opozitës, pa e përfshirë LDK-në, nuk po i voton këto marrëveshje, por kjo nuk i jep të drejtë Qeverisë të shantazhojë deputetët. Fatkeqësisht, ky veprim është sulm ndaj ndarjes së pushteteve dhe hierarkisë kushtetuese të institucioneve. Ky lloj shantazhi ndaj deputetëve është diktaturë hibride në sisteme demokratike”, ka shkruar ai.

Hoti ka shtuar se as kryetari i Kuvendit nuk e ka kryer detyrën e tij për të siguruar mbarëvajtjen e punëve të Kuvendit dhe sjelljen kushtetuese të anëtarëve të Qeverisë në seancat parlamentare.