Arbëri

Hoti shpall kandidaturën për të zëvendësuar Lumir Abdixhikun

Avdullah Hoti ka njoftuar se në mbledhjen e Kuvendit të Lidhjes Demokratike më 31 janar do kërkojë besimin për ta marrë në dorë drejtimin e partisë. Hoti e ka konsideruar përfundimtare dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku, i cili në fakt nuk ka dhënë dorëheqje, por vetëm ka paralajmëruar se do ta ofrojë atë para kuvendarëve, të cilët më pas do të vendosin nëse do ta pranojnë ose jo

Avdullah Hoti e ka konsideruar punë të kryer dorëheqjen e Lumir Abdixhikut nga posti i kryetarit të LDK-së.

Ai të dielën e ka shpallur kandidaturën e tij për të marrë drejtimin e partisë më të vjetër në vend.

“Pas dorëheqjes së kryetarit Abdixhiku për shkak të rezultatit të fundit zgjedhor, ju njoftoj se në mbledhjen e Kuvendit të LDK-së të datës 31 janar 2026 do të kërkoj besimin tuaj për t’i prirë Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka shkruar Hoti. 

Hoti, në postimin e tij në Facebook, ku ka njoftuar për shpalljen e kandidaturës, është zotuar për ringritje të partisë, për hapje të saj e meritokraci në avancim.

Hoti ishte kryeministër i vendit në vitet 2020-2021 dhe dy herë kandidat i LDK-së për kryeministër. Zgjedhjen e tij kryeministër e ka rrëzuar Kushtetuesja e në dy rastet kur kandidoi për kryeministër nuk ka fituar.

Në zgjedhjet e fundit Hoti ka dalë kandidati i katërt me më së shumti vota në listën e LDK-së.
Lidhja Demokratike kuvendin e partisë do ta mbajë më 31 janar. Abdixhiku ka paralajmëruar se do ta ofrojë dorëheqjen në këtë mbledhje. Por, ka thënë se do t’ua lërë në dorë anëtarëve të Kuvendit ta pranojnë ose jo dorëheqjen e tij, gjë që ka nxitur kritika brenda subjektit. 

Këto zhvillime në LDK janë pasojë e rezultatit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, ku kjo parti ka zënë vendin e tretë me 13.24%, që përkthehet me 15 ulëse në parlament. 
Rezultat i ngjashëm me atë të 14 shkurtit 2021, që me 12.7% pati marrë gjithashtu 15 ulëse në Kuvend. 
Në atë kohë kryetar i partisë ishte Isa Mustafa, i cili pas këtij rezultati pati dhënë dorëheqjen. 
Në Kuvendin e LDK-së të mbajtur më 14 mars 2021, kryetar ishte zgjedhur Lumir Abdixhiku e si kundërkandidat i ka pasur Lutfi Hazirin dhe Besian Mustafën. 

Abdixhiku partinë e ka udhëhequr në dy palë zgjedhje parlamentare dhe po aq lokale. 

Në zgjedhjet e rregullta të 9 shkurtit të vitit të shkuar, që ishte testi i parë i Abdixhikut në krye të LDK-së, ka marrë 18.3% të votave, duke dalë në vend të tretë. Ato zgjedhje nuk kanë prodhuar qeveri, duke u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme. 

Të hënën e shkuar është mbledhur Kryesia e LDK-së dhe ka vendosur për 31 janarin si datë kur do të mblidhet kuvendi. Përpos Hotit, deri tash nuk ka figura të tjera të partisë që kanë shpallur kandidaturën. 

KOHA ka tentuar të marrë përgjigje nga kundërkandidatët e Abdixhikut në zgjedhjet e brendshme të 2021-tës. Lutfi Haziri nuk është përgjigjur e Besian Mustafa ka thënë se nuk do të kandidojë.
Pyetjes së njëjtë nuk i është përgjigjur as deputetja Hykmete Bajrami, e cila vetë ka dhënë dorëheqjen nga posti i nënkryetares e këtë e ka kërkuar edhe nga Abdixhiku.