Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka ftuar edhe zyrtarisht delegatët që të marrin pjesë në kuvendin e kësaj partie që do të mbahet të shtunën. Derisa ka publikuar ftesën për ta, Abdixhiku ka thënë se do të diskutojnë e vendosin për të gjitha çështjet, me vullnet e votë të lirë
Një ditë pasi Avdullah Hoti shpalli kandidaturën për kryetar të LDK-së, kryetari aktual Lumir Abdixhiku ka thënë se partia nuk i frikësohet anëtarësisë së saj, votës e garës së hapur.
Tek ka bërë të ditur se ka ftuar delegatët e LDK-së për Kuvendin që do të mbahet të shtunën në mesditë, Abdixhiku ka shkruar se nga ky proces do të dalin “më të fortë e më të organizuar”.
“LDK-ja nuk është parti që frikësohet nga anëtarësia e vet, as nga vota, as nga gara. Vendimet e saj i ka marrë gjithmonë në Kuvend, mes njerëzve të vet, hapur, me debat dhe pa frikë; dhe në fund, me shumicë. Edhe në kohë shumë më të vështira se kjo. Kështu do të veprojmë sërish këtë të shtunë. Këtë të shtunë mblidhemi për të diskutuar dhe për të vendosur mbi të gjitha çështjet tona, me vullnet të lirë dhe me votë të lirë, ashtu siç i takon një partie demokratike që respekton anëtarësinë e saj dhe asnjë interes tjetër veç saj”, ka shkruar Abdixhiku.
Në deklaratën, përmes së cilës shpalli kandidaturën për kryetar të LDK-së, Avdullah Hoti u zotua se do të marrë barrën e ringritjes politike dhe organizative të partisë.
Por analisti Melazim Koci vlerësoi se pas së shtunës LDK-ja mund të ndahet në dysh pasi, sipas tij, nuk sheh mundësi të ndonjë kompromisi.
“Kandidatura e z. Hotit e bëri të qartë se brenda LDK-së ekzistojnë dy linja, dy fraksione, njëra që synon ruajtjen e këtij lidershipi dhe tjetra që kërkon ndryshime. Praktikisht është paralajmërim i një çarje të re brenda LDK-së, ashtu sic ka ndodh në këto 15 vote bukur shpesh brenda kësaj partie”, tha Koci në “60 Minuta” të KTV-së.
Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 28 dhjetorit ka marrë 126 mijë e 133 vota, të cilat ia siguruan 15 ulëse në Kuvend apo pesë deputetë më pak se që pati në legjislaturën e fundit.
Pas kësaj, kryetari Abdixhiku ka njoftuar se do të ofrojë dorëheqjen në Kuvend dhe më pas do të jenë kuvendarët që do të vendosin nëse do ta pranojnë këtë apo jo, për çka ka nxitur kritika te disa nga figurat më të njohura të partisë.