Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoti: Qeveria do të duhej të propozonte një draft për Asociacionin para ekipit menaxhues

Afrim Hoti, profesor i shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës do të duhej të propozonte një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe para atij të prezantuar nga ekipi menaxhues më 2 maj në Bruksel.

Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Hoti ka thënë se po të kishte një propozim nga pala kosovare, projekti i prezantuar nga ekipi menaxhues nuk do të vihej fare në tryezë.

“Qeveria e Kosovës do të duhej t’i paraprinte këtij projekti që e ka prezantuar ekipi menaxhues, të hijezohej krejtësisht apo të mos vihej fare në tryezën e bisedimeve sepse kosovarët do të duhej të projektonin dhe të propozonin më herët idenë se si ata e shohin çështjen e themelimit të gjithë këtij konstruksioni që njihet si Asociacion”, ka thënë ai.

Sipas tij, Kosova është vonuar me politikën e jashtme pasi edhe nga qeverisjet e kaluara nuk është parë asnjëherë ndonjë veprim i koordinuar për të prezantuar një projekt.

“Tashmë po përballemi me konsekuencat e neglizhencës që kemi treguar për vite, saktësisht atë çfarë miqtë e Kosovës thoshin kohë më parë që Kosova të mos mbetej në pozicion defensiv, por të propozojë diçka. Ne jemi të vonuar dhe vonesa nuk lidhet vetëm me qeverisjen Kurti, lidhet me disa qeveri të fundit që kemi pasur, në veçanti me politikën e jashtme. Çfarëdo veprimi që ka marrë Beogradi zyrtar, ne jemi marrë me pasojat ose kundërshtimin e tij”, është shprehur ai.

Edhe Heshtja e Qeverisë për Asociacionin LAJMET E MBRËMJES Heshtja e Qeverisë për Asociacionin

Profesori universitar ka deklaruar se Bashkimi Evropian nuk mban pozicion të njëjtë ndaj Prishtinës dhe Beogradit.

“Nëse eventualisht nuk e kemi të qartë tërësisht raportin mes Kosovës dhe Serbisë, atëherë është e pritshme që BE-ja të vendosë para sfidave ‘merre ose lëre’. Kjo urgjenca që po shtyhet tash e sa kohë nga BE-ja ka marrë dinamizëm më të madh nga viti i kaluar, nga lufta rusi-Ukrainë. Ajo që më shqetëson më shumë është çështja që BE-ja përveç shtytjes që i bën procesit, ka një pozicion të padefinuar sepse pozicioni i BE-së për të ndërmjetësuar është goxha i brishtë. BE-ja s’ka pozicion të njëjtë si kundrejt Prishtinës ashtu edhe kundrejt Beogradit. Ky pozicion i padefinuar i BE-së kam përshtypjen që po përcillet edhe në proces të negocimit. Sikur të ishin ndërmjetës SHBA-ja, ose Britania e Madhe ose Gjermania, e cila e thotë në mënyrë të zëshme dhe të qartë që ky proces negocimi duhet të përfundojë me njohje reciproke, atëherë situata do të ishte krejtësisht e qartë sepse e dimë destinacionin. BE-ja deri më tani është treguar jo e sinqertë, joserioze dhe se të dyja palët po ushqejnë ambiciet e tyre që ata janë në rrugën e drejtë”, ka thënë ai.