Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hoti: Lidershipi kosovar i ka dhënë “aminin” Asociacionit

Afrim Hoti, profesor i shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, ka deklaruar se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është çështje tashmë e kryer, pasi sipas tij, për t’u themeluar ai është pajtuar edhe lidershipi kosovar.

Hoti ka deklaruar të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së se Kosova është vonuar në zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, përfshirë edhe Asociacionin, e sipas tij, kjo ka konsekuenca negative.

“Asociacioni është marrëveshje ndërkombëtare me karakter obligativ i 2013-s, i konfirmuar edhe në 2015-n e edhe nga lidershipi aktual. Mbi këtë bazë në kuptimin politik, situata është e qartë që Asociacioni do të bëhet pasi lidershipi kosovar i ka dhënë ‘aminin’ Asociacionit. Mendoj se jemi vonuar e çfarëdo vonese ka konsekuenca negative. Ne vonohemi dhe tregojmë se jemi të papërgjegjshëm karshi obligimeve ndërkomëtare. Nëse veprojmë në këtë drejtim rritet kostoja në aspektin e ngritjes së shkallës së autonomisë...”, ka deklaruar ai.

Sipas profesorit universitar, ana e keqe e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është se qeveria kosovare ka mbetur pa mbështetje ndërkombëtare, e deri këtu sipas Hotit është bërë “nga mungesa e një retorike komunikuese konstruktive me BE-në dhe SHBA-në”.

Ai ka theksuar se Bashkimi Evropian është i pafuqishëm për t’i shtyrë dy vendet drejt zbatimit të marrëveshjes, e palët ka thënë ai se e kanë komplikuar procesin.

“Jo vetëm nga BE-ja, por edhe në fronte të tjera politike Asociacioni do të jetë në maje të agjendës...Nëse me shtensionim nënkuptojmë heqjen e policisë, atëherë Kurti do të kishte të drejtë pasi shumica e trupave policore janë hequr, por deeskalimi është më i thellë, e kjo nënkupton që këta qytetarë (serbët në komunat veriore v.j.) të integrohen në jetën politike në Kosovë. Në këtë drejtim BE-ja është e vendosur të shtyjë përpara procesin”, ka shtuar ai.

Edhe BE: Themelimi i Asociacionit, ndër çështjet më urgjente Arbëri BE: Themelimi i Asociacionit, ndër çështjet më urgjente

Hoti ka shtuar tutje se Kosova e ka aktualisht pozicionin më të ndjeshëm në raport me Serbinë, e kjo siç ka thënë ai, është edhe për shkak të moskoordinimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kosova ka pozicionin më të ndjeshëm dhe më të pavolitshëm. Kosova s’ka ecur asnjëherë pa koordinim me SHBA-në dhe në këtë drejtim pamë një president serb shumë të relaksuar”.