Qendra kryesore e vaksinimit në Sallën 1 Tetori në Prishtinë, këtë të hënë ka qenë përplot me qytetarë të cilët po presin për t’u vaksinuar.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Faik Hoti në një intervistë për emisionin Sot, u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen sa më shumë.
Hoti ka thënë se në rastet kur dikush nuk mund të regjistrohet online në faqen E Kosova, atëherë ai duhet të paraqitet në qendrën më të afërt në qytetin e tij për të hyrë në regjistra të vaksinimit.
“Siç po shihini procesi është jashtëzakonisht i thjeshtë. Krejt procesi nuk merr më shumë se 10 min kohë. Do të ishte humbje e madhe nëse nuk i ndani 10 minuta për këtë proces” ka thënë Hoti, derisa ka bërë thirrje që përveç vaksinimit qytetarët të vazhdojnë t’i zbatojnë masat anti covid .
Hoti më tutje ka thënë se ata si MSH me qëllim të lehtësimit dhe inkurajimit për t’u vaksinuar u kanë mundësuar qytetarëve që të zgjedhin se me cilën vaksinë dëshirojnë të imunizohen.
“Përdoren dy vaksina që kanë aprovim nga EMA dhe OBSH në qoftë se qytetarë dëshirojnë të kombinojnë edhe këtu mund të bëhet. Janë bëtë të gjitha lehtësimet me të vetmin qëllim që vaksinimi masive të vazhdojë edhe më tutje” është shprehur më tutje Hoti.
Hoti ka folur edhe përhapjen e variantit Delta derisa ka bërë thirrje që qytetarët të vazhdojnë vaksinohen deri në shtator në mënyrë që mësimi të mundësohet që procesi mësimor të nis i rregullt dhe të mbrohet ekonomia.
“Varianti Delta ka shtrirje më të gjerë prek mosha të ndryshme, andaj përmes vaksinimit të jemi të mbrojtur nga varianti Delta dhe variantet tjera, kështu ngushtohet rrethi që virusi të krijoj mutacione të reja. Nëse arrijmë që brenga gushti e shtator të vaksinojnë do të kemi fillim të mirë të procesit mësim. Në Qendrën 1 Tetori numri i të vaksinuarve shkon prej 2 200 deri në 2700 ndërsa në nivel vendi 16 mijë deri në 17 mijë kemi kapacitet për vaksinim” është shprehur Hoti.