Ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, duke folur për rastin e keqtrajtimit të 5-vjeçarit në Lipjan nga prindërit e tij, ka thënë se kjo familje ka qenë nën trajtimin e Qendrës për Punës Sociale që nga viti 2013.
Ai në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë ka shtuar se që nga ajo kohë, disa herë janë marrë fëmijët nga prindërit, por më pas janë rikthyer sërish pas analizave psikiatrike.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Në vitin 2023 gjykata i ka rikthyer këta fëmijë te familja edhe një herë dhe ne jemi duke e trajtuar pse janë rikthyer, a i kanë plotësuar kushtet prindërit për rikthimin e tyre. Në momentin që kryhet inspektimi final ne do të ju informojmë për çdo hollësi”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se në të gjitha rastet ku përfshihet trajtimi i dhunës, duhet ndërhyrja institucionale.
Ka shtuar se është angazhuar njësia e inspektimit për hetimin e rastit.
Hoti ka deklaruar se nëse ka shkelje të rënda, do të revokohen licencat për individë që janë ofrues të shërbimeve sociale.
“Ne përgjegjësisë nuk mund t’i ikim në këtë pikë megjithatë të gjitha rastet sociale në Kosovë që përfshinë trajtimin e dhunës dhe çdo formë, e që është e nevojshme ndërhyrje e institucioneve janë kompetencë e komunave dhe jo e ministrisë që e udhëheqi unë. Roli i ministrisë në këtë rast është vetëm hartimi i politikave sociale dhe mbikëqyrja e tyre. Ministria në këtë rast e ka njësinë e inspektimit të cilën e ka angazhuar dje dhe me urgjencë ka shkuar ta hetojë rastin në QPS në Lipjan. Në kuadër të kësaj e heton rastin dhe të rekomandojë ministrin për veprimin në bazë të të gjeturave të këtij rasti. Ministri pastaj nëse ka shkelje të rënda, ka të drejtë të revokojë licencat për individë që janë ofrues të shërbimeve sociale në këtë apo kudo tjetër QPS”, ka thënë ai.
Ndërkohë në këtë konferencë për media, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka folur për gjendjen shëndetësore të 5-vjeçarit nga Lipjani.
Vitia ka thënë se pas intervenimit të djeshëm gjendja e tij shëndetësore është stabile dhe ka filluar edhe komunikimin verbal. Shqetësuese sipas Vitisë mbetet gjendja psikosociale e fëmijës.
“Dje e ka pasur një intervenim sidomos në njërën shputë të këmbës. Gjendjen sot e ka stabile, ka filluar pak edhe komunikimin verbal, gjendja është më mirë, ka pasur një anemi të lehtë për çka janë ndërmarrë të gjitha masat edhe me transfuzion të gjakut edhe me barëra të tjera. Gjendja e tij është e mirë dhe po e merr veten shumë shpejt. Ajo që na ka shqetësuar të gjithëve është gjendja psikosociale e fëmijës i cili shihet që fatkeqësisht ka qenë për shumë kohë në një ambient toksik, mos të them komplet abuziv”, ka thënë ministri Vitia.