Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i është përgjigjur presidentes Vjosa Osmanit, duke thënë se ajo për pesë vjet mandat ka qenë në shërbim të agjendës shtetrrënuese të atij që ai e ka quajtur “bashkëmashtrues”, duke aluduar te kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Halli i Osmanit, sipas Hotit, është se si në prill kur ta dorëzojë mandatin, ajo do të mbetet bashkëfajtore për rrënimin e reputacionit dhe dëmet që i janë bërë e po i bëhen shtetit të Kosovës.
Ai ka thënë se presidentja nuk e tha asnjë fjalë për vendimin e Supremes “që konstatojnë uzurpimin e institucioneve nga LVV dhe partnerët e saj, përfshirë ish-partinë e saj Guxo”.
“Po i mbaron mandati 5-vjeçar në krye të shtetit të Kosovës pa asnjë rezultat e pa asnjë kontribut për shtetin e Kosovës. Pesë vite demagogji e mashtrime, të cilat po dalin sheshit. Pesë vite në shërbim të agjendës shtetrrënuese të bashkë-mashtruesit. Ky është problemi që ka Vjosa. Kjo e ka hallin se do të mbetet në histori si mashtruesja më e madhe e elektoratit djathtist të LDK-së. Kjo e ka hallin se në prill e dorëzon mandatin dhe do të mbahet përgjegjëse dhe bashkëfajtore për rrënimin e reputacionit të shtetit të Kosovës dhe dëmet që i janë bërë e po i bëhen shtetit të Kosovës”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Më herët në konferencë për shtyp, Osmani u shpreh se Hoti është njeriu më jorelevant për të cilin nuk do ta humbë asnjë sekondë pasi deputeti i LDK-së e kishte akuzuar për hipokrizi ditë më herët.
