Arbëri

Hoti: Osmani po e përfundon mandatin pa lënë asnjë gjurmë në shtetndërtim

Avdullah Hoti

Avdullah Hoti

Foto: Driton Paçarada

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po e përfundon mandatin pa lënë asnjë gjurmë në shtetndërtimin e vendit, thotë deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti. Dy ditë pasi SHBA-ja pezulloi dialogun strategjik me Kosovën, siç është thënë për shkak të veprimeve të qeverisë në detyrë, Hoti adreson një varg kritikash edhe ndaj të parës së vendit, e cila, sipas tij, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për thellim të bashkëpunimit me SHBA-në, si dhe për integrim evropian.

Ish-kryeministri Hoti, në një intervistë për KosovaPress, thotë se presidentja Osmani, në pesë vite gati në krye të vendit, ka dështuar ta përfaqësojë unitetin e popullit, si dhe të ruajë funksionimin kushtetues të institucioneve.

Sipas tij, presidentja Osmani të gjitha veprimet politike të saj i bën për interesa personale, duke përmendur edhe kohën sa kanë bashkëpunuar me LDK-në.

Presidentja Vjosa Osmani së fundmi ka bërë të ditur se është duke menduar shumë seriozisht mundësinë e rikandidimit për të parën e vendit. Mandati i saj përfundon në muajin prill të vitit 2026.

“Të gjitha veprimet politike të saj, në të gjitha situatat prej se është në politikë, pa përjashtim, i ka nënshtruar interesave elektorale për qëllime personale. Të gjitha. Edhe gjatë kohës sa ka qenë në Lidhjen Demokratike të Kosovës – kur kemi qenë në opozitë ose në qeverisje – veprimet e saj, mandej sjellja e saj në vitin 2020 dhe 2021, kur doli nga partia, komplet duke braktisur shtëpinë e vet politike, jo për çështje parimore, jo për të mbrojtur parime – por thjesht për interesa elektorale. Edhe tash deklarimet e saj unë i shoh nga ky këndvështrim – kalkulime elektorale që po mundohet t’i promovojë në publik… Tani kur po i mbaron mandati i saj, unë besoj se është koha që të bëhen llogaritë për punën e saj në presidencë dhe në skenën politike. Ajo është e para e shtetit tash e pesë vite gati, dhe njerëzit duhet të shohin çfarë ka bërë në atë zyrë si e para e shtetit – për të avancuar interesin e shtetit të Kosovës… Ka dështuar në dy nga funksionet themelore që duhet të përfaqësojë i pari i shtetit: përfaqësimin e unitetit të popullit dhe ruajtjen e funksionimit kushtetues të institucioneve – e të mos flasim për avancimin e shtetësisë së Kosovës drejt integrimit në Europë. Unë besoj se ajo do ta përfundojë mandatin pa lënë asnjë shenjë, pa vendosur as edhe një ‘gur’, si me thënë, në kalanë e fuqizimit të shtetit të Kosovës”, thotë ai.

Hoti flet edhe për krizën politike dhe vonesat në formimin e institucioneve të reja.

Ai thotë se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar pasi nuk është kompletuar kryesia e legjislativit edhe me zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb, ani pse kryeparlamentari Dimal Basha ka mbyllur seancën konstituive.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator, ku ua ndalon çfarëdo veprimi deputetëve si dhe nisjen e procedurave për formim të qeverisë së re.

Kushtetuesja mori këtë vendim pas ankesës së Listës Serbe.

“Po besoj që një jurist me dije minimale në fushën e ligjshmërisë kushtetuese e sheh që Kuvendi nuk është i konstituuar pa u zgjedhur edhe nënkryetarët e Kuvendit. Tani, arsyet pse nuk janë zgjedhur nënkryetarët e Kuvendit janë të tjera, pra duhet të diskutohen veçmas, por si fakt – Kuvendi nuk është i konstituuar. Ekziston, pra, sepse është qartësisht e cekur që Kuvendi konstituohet kur zgjidhen edhe kryetari edhe nënkryetarët e Kuvendit… Që nga dita e parë, qëllimi i partisë që ka dalë e para në zgjedhje ka qenë bllokimi i institucioneve, jo themelimi i institucioneve të reja. Kur e kanë parë që askush nuk dëshiron të punojë me ta. Atëherë, i vetmi qëllim ka qenë të gjejnë arsye për të bllokuar institucionet. Siç ndodhi – pesëdhjetë e sa seanca me radhë të Kuvendit janë mbajtur në mënyrë jokushtetuese, me insistimin e kryesuesit të përkohshëm të Kuvendit, pra të grupit të parë parlamentar. Kur Gjykata Kushtetuese e qartësoi që aty ka pasur shkelje kushtetuese dhe se duhet t’i kthehemi rendit të ditës së paraparë, mandej u bë një veprim faktik nga njëra prej partive, duke votuar kandidatin për kryetar të Kuvendit. Por tash, partia që ka dalë e para, ka hyrë në makinacione të tjera për të bllokuar konstituimin e Kuvendit”, deklaron Hoti.

Duke marrë parasysh vonesat në formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, si dhe polarizimin partiak, Hoti e sheh si të pamundur krijimin e një shumice parlamentare.

Andaj, ai kërkon një dialog ndër-partiak për të parë sesi të ecet tutje, qoftë edhe me zgjedhje të reja.

“Rrethanat që janë krijuar pas gjithë këtyre muajve, unë nuk shoh se si mund të formohet një shumicë parlamentare. Po duket që janë shteruar të gjitha mundësitë për të formuar shumicë parlamentare. Është keq që nuk ka gatishmëri nga partia që ka dalë e para në zgjedhje për të dalë publikisht e për t’u thënë qytetarëve se nuk e ka fituar shumicën. Sigurisht që në një situatë të tillë nuk ka aftësi, nuk ka mundësi që të krijojë shumicën për ta udhëhequr vendin, dhe mandej të hapet rruga për dialog ndërpartiak – se si të ecet përpara. Ne e kemi dhënë një opsion që në muajt e parë pas zgjedhjeve, kur u pa që nuk ka gatishmëri nga asnjëra parti për të punuar me të në formimin e qeverisë së re. E kemi propozuar edhe një opsion të një qeverie të përkohshme deri në pranverë, derisa të vijë koha e zgjedhjes së presidentit. Një opsion që nuk është pranuar. Tani ngërçi është thelluar më shumë. Kaosi institucional është thelluar më shumë, me pasoja shumë të mëdha për vendin”, tha ai.

Kosova të shtunën nisi fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Në lidhje me këtë, Hoti shprehet i bindur për fitoren e LDK-së në komunat në të cilat qeverisin, si dhe thekson se kanë mundësi të mira në shumë komuna të tjera.

“Unë nuk shoh ndonjë rrezik që t’i humbim komunat ku jemi duke qeverisur. Secili prej kryetarëve të komunave që vijnë nga Lidhja Demokratike e Kosovës duket se ka arritur ta ruajë, si me thënë, besueshmërinë e qytetarëve në komunën e vet. Pra, unë mund të vlerësoj dhe nuk shoh ndonjë rrezik që në këto komuna mund të humbim. Sigurisht, ndoshta në disa prej tyre nuk i fitojmë në raundin e parë. Unë besoj që pjesën më të madhe mund ta fitojmë në raundin e parë, pa pasur nevojë për balotazh. Por edhe ato që mund të shkojnë në balotazh, nuk shoh rrezik që t’i humbim – këto komuna që i kemi. Sa për komunat e tjera ku ne nuk qeverisim, në disa prej tyre kemi gjasa shumë të mira. Kjo për dy arsye: e para, sepse kemi përzgjedhur kandidatë që janë relativisht mirë të pranuar nga qytetarët e atyre komunave; dhe e dyta, sepse në disa komuna ka pasur, sinqerisht, lëshime bukur të mëdha në qeverisjen lokale, dhe kjo na jep neve një avantazh si Lidhje Demokratike e Kosovës”, përfundon Hoti.