Avokati Taulant Hodaj e ka vlerësuar si paradoksale që në Gjykatën Speciale më shumë ka të dyshuar për pengim të drejtësisë sesa për krime lufte, e kjo e fundit sipas avokatit, është edhe arsyeja pse u themelua Gjykata.
Duke komentuar bastisjet e fundit nga hetuesit e Speciales, Hodaj ka thënë se duhet analizuar nëse Specialja po i kalon kompetencat apo nëse s'po respekohen rregullat sipas një sistemi juiridik të mirëfilltë.
Gjykata Speciale ka vazhduar edhe sot [e martë] me bastisje, pas atyre të së hënës. EULEX-i mëngjesin e sotëm ka bastisur banesën e Artan Behramit, ish-këshilltar i Hashim Thaçit, që po akuzohet në Hagë për krime lufte. Më 22 shkurt, Dhomat e Specializuara kanë bastisur shtëpinë e një ish-këshilltari tjetër të Thaçit, Adil Behramajt.
“Gjykata Speciale është themeluar për krime lufte, e tash kemi më shumë të akuzuar dhe të dyshuar për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë sesa krime lufte. Kjo është paradoksale. Duhet ta analizojmë si shoqëri nëse Specialja po i tejkalon kompetencat, ose s’jemi mësu me i respektu rregullat. Kjo çështje ka nevojë të trajtohet me kujdes. Në sistemin juridik të Kosovës, ose ka pasur shumë shkelje dhe nuk janë marrë parasysh dhe është bërë praktikë që të mos ketë kujdes, ose Specialja e ka ndërruar juridiksionin”, ka thënë ai në “60 Minuta” të KTV-së.
Hodaj ka treguar se Gjykata Speciale e ka shtuar juridiksionin shtesë për pengim të drejtësisë, pasi siç thotë ai, kanë menduar se sistemi juridik i Kosovës nuk mund t’i trajtojë këto raste. Ndërsa ka shtuar se Gjykata Speciale është shumë konfidenciale.
Edhe
Ish-këshilltari i Thaçit: Specialja dëshiron të ngjallë frikë te qytetarët e Kosovës përmes bastisjeve
“Ka pasur juridiksion shtesë për pengim të drejtësisë nga Specialja. Kanë menduar se sistemi juridik i Kosovës nuk mund t’i trajtojë këto raste dhe e kanë vendosur ta krijojnë si juridiksion shtesë. Nuk i dimë rrethanat. Specialja është shumë konfidenciale dhe dëmton parimin e publicitetit. Ky super konfidencialitet ndoshta i ndihmon hetimit, por e dëmton besim ndaj saj. Ndër parimet kryesore në drejtësi është parimi i publicitetit. Edhe gjykimet i kemi shumë konfidenciale, siç po ndodh edhe me bastisjet”, ka thënë Hodaj.
Hodaj ka thënë se nëse në Kosovë do të mësoheshin me një sistem të mirëfilltë të drejtësisë, atëherë s’do të ishin problematike bastisjet pasi s’do të ndodhnin.
“Parimisht, nëse ishim mësuar me një sistem të mirëfilltë të drejtësisë, s’do të ishte problematike, por s’jemi mësuar. Është Gjykatë e veçantë, dhe ka rregulla të veçanta. Para çdo veprimi ose mosveprimi rreth Speciales, qytetarët apo mediat duhet të kenë kujdes, duhet të konsultohen me profesionistët e fushës”, ka thënë ai.
Hodaj, duke u bazuar në përvojën e tij me Gjykatën Speciale, ka thënë se urdhrat për bastisje lëshohen goxha të detajuar.
Duke marrë për bazë bastisjet e fundit, avokati nuk ka përjashtuar se në të ardhmen e afërt persona të caktuar të ftohen për intervistim si të dyshuar apo në cilësinë e dëshmitarit. Bastisjet, sipas Hodajt, tregojnë pse të akuzuarit në Hagë nuk po lejohen të mbrohen në liri.
Edhe
Bajraktari: Edhe nëse lirohet në rastin kryesor, Thaçi përballet me aktakuzën e dytë
Hodaj ka thënë se gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së po shkon në një kohë relativisht të shpejtë.
“Ka marrë shumë kohë deri ka nisur gjykimi. Është duke shkuar në një kohë relativisht të shpejtë pasi janë dëgjuar 30 dëshmitarë. Në fund vitit të ardhshëm duhet të kryhej gjykimi në shkallën e parë, ose pranverën e vitit 2025. Është në suaza të një tribunali për krime lufte”, ka thënë ai.
Dhomat e Specializuara kanë dhënë dënime për pengimin e administrimit të drejtësisë ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt dhe i kanë dhënë dritë të gjelbër për gjykim së fundi edhe aktakuzës ndaj Sabit Januzit dhe Ismet Bahtjarit.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Edhe
Mbrojtja kërkon lirimin e Thaçit, si argument paraqet vendosmërinë e tij për themelimin e Speciales
Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty.
Aktualisht në Hagë është duke u zhvilluar gjyqi ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit Rexhep Selimi. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.