Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka përgëzuar Serbinë për takimin e fundit në Bruksel më 18 gusht.
Hill është pyetur për takimin që pati me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot për situatën në Kosovë.
“Pala serbe bëri një punë të madhe duke ardhur në Bruksel për të negociuar dhe duke bërë detyrat e shtëpisë. Kjo është gjithmonë gjëja më e rëndësishme për të gjitha negociatat”, ka thënë Hill për televizionin serb “N1”. “Mendoj se pala serbe u përpoq të ishte fleksibël, të gjente zgjidhje dhe biseda e mëngjesit me Vuçiqin ma konfirmoi këtë”.
Në pyetjen se çfarë shkoi keq në takimin e fundit në Bruksel mes Vuçiqit dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ambasadori Hill tha: “Pala serbe ishte në vendin e saj, e dinte se çfarë duhej të fliste, e dinte se çfarë ishte e rëndësishme. Por, mendoj se pala tjetër, fatkeqësisht, nuk ishte e gatshme për një bisedë konkrete”.
"Mendoj që për të zgjidhur këto çështje përfundimisht duhet të flisni për specifika. Por, po ashtu duhet t’i vendosni këto specifika në një kontekst më të gjerë dhe konteksti më i gjerë është çështja e komunitetit serb dhe se si ky komunitet do të jetojë në të ardhmen. Për mua është kyçe që komuniteti serb të ndihet si në shtëpi në Kosovë dhe të sigurt. Pra, janë disa përpjekje për të cilat duhet të bisedohet dhe besoj që këto përpjekje do të vazhdojnë”, shtoi ai.
Sipas tij, rezultatet e takimit të Brukselit kanë qenë zhgënjyese, por shtoi se bisedimet po vazhdojnë.