Arbëri

Hidhen poshtë parashtresat e Thaçit, Veselit e Selimit mbi ligjshmërinë e Speciales dhe ZPS-së

Gjyqtari i Procedurës Paraprake, Nicolas Guillou, ka hedhur poshtë parashtresat e ish-eprorëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, mbi ligjshmërinë e Dhomave të Specializuara dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Në parashtresën, mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar lirimin e tij, duke thënë se ka skaduar mandati i Gjykatës Speciale dhe se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka më bazë kushtetuese e ligjore për të bërë hetime shtesë. Thaçi po ashtu në parashtresën e tij ka thënë se i është shkelur e drejta për një seancë dëgjimore të drejtë e të paanshme brenda një afati të arsyeshëm, e drejta për t’u persumuar i pafajshëm, si dhe e drejta për t’u gjykuar nga një tribunal i pavarur dhe i paanshëm, duke kërkuar kështu lirimin.

Ndërkohë mbrojtja e ish-deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, në parashtresë ka thënë se struktura dhe përbërja e Speciales është në kundërshtim me themelimin e saj dhe funksionin e saj si gjykatë vendore e Kosovës, duke e kaluar kështu autoritetin që i është dhënë me Kushtetutë të Kosovës. Ka thënë se kjo përbën shkelje të Koventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore. Mbrojtja e Selimit ka kërkuar seancë dëgjimore për këtë.

E mbrojtja e ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli, po ashtu ka thënë se Specialja ka shkelur mandatin që i ka dhënë Kushtetuta e Kosovës.

Gjyqatari i Procedurës Paraprake, Guillou, ka hedhur poshtë mocionet e parashtruara.

Thaçi, Veseli e Selimi janë arrestuar vitin e kaluar, ndërsa akuzohen për krime lufte.