Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haziri: Vetëvendosje duhet të ketë arsye të mëdha që të na kthejë në bisedime

Foto: Alban Bujari / KD

Pas votimit të nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, situata për marrëveshjen për bashkëqeverisje mes Vetëvendosjes dhe LDK-së ka ndryshuar. Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri në një intervistë për KosovaPress, thotë se veprimi siç e cilëson të njëanshëm për propozimin e Glauk Konjufcës për kryetar të Kuvendit, e më pas votimin e tij, ka lënë pasoja në negociatat e tyre.

Sipas tij, palët nuk duhet të kthehen në pikën zero të bisedimeve dhe t’i hedhin poshtë gjitha diskutimet paraprake.

Haziri për KosovaPress flet edhe për mundësitë e rikthimit të postit të kryeparlamentarit, votimin e qeverisës së pakicës, insistimin në postin e presidentit dhe zgjedhjet e reja.

“Jo detyrimisht duhet të diskutohet për gjithçka, por duhet të gjendet një rrugë që kthen palët në tavolinë. Duhet arsye e madhe që palët me u kthyer në bisedime. Arsye e madhe politike me u kthyer në bisedime. Duhet besim i madh me u ndërtu, sepse mosbesimi po shihet deri ku ka qu, deri tek vendimet e njëanshme. Duhet me përballu politikisht këtë situatë sepse vendi nuk duhet të hyjë në krizë politike”, thotë Haziri.

Mbi kërkesat e reja të LDK-së, pas votimit të nënkryetarit të VV-së për kryeparlamentar, Haziri nuk jep detaje, por thekson se situata ka ndryshuar dhe të gjitha duhet të diskutohen brenda tavolinës së bisedimeve me partinë fituese të zgjedhjeve.

Edhe Zgjedhja e presidentit - Kurti do marrëveshje para konstituimit të Kuvendit, PDK-ja të kundërtën Arbëri Zgjedhja e presidentit - Kurti do marrëveshje para konstituimit të Kuvendit, PDK-ja të kundërtën

Për këtë arsye, zërat për rikthim të kryetarit të Kuvendit, nënkryetari i LDK-së, i cilëson si lojëra të fëmijëve dhe që nuk sjellin zhbllokimin e situatës.

“S’kisha thanë me bërë lojën e fëmijëve. Këto vendime janë të rënda. Politikisht janë të përgjegjshme dhe nuk duhet me leju që partitë politike me bë lojën e fëmijëve. Nëse është sjell një vendim është dashur me mendu mirë, qartë edhe drejt. Nëse sjellët një vendim në të ardhmen për lirimin e pozitës prapë duhet me u mendu mirë. Nuk shohë një debllokim të situatës në këtë mënyrë të zgjidhjes së problemeve”, thotë ai.

Edhe pse dje u mohua që LDK-ja do të votonte për qeverinë Kurti dhe të qëndrojë në opozitë, Haziri i bën thirrje VV-së se qysh nesër të sjellë kabinetin qeveritar në Kuvend dhe votat e LDK-së do t’i kenë.

“Nëse e sjell në Kuvend një kabinet nesër ne e votojmë. Asnjë problem nuk është, pa pjesëmarrjen tonë”, u shpreh Haziri.

Për deklaratën e Kurtit, se presidenti Thaçi nuk e përcakton formimin e qeverisë, por LDK-ja nënkryetari i kësaj partie përsërit se emri i kryeministrit kalon nga zyrat e tyre.

“Unë e kam thënë edhe më herët, emri i kryeministrit kalon nga LDK. Kështu, Albin Kurti si kandidat për kryeministër e ka konstatu dhe faktu se kështu ndodhë. Përkundër se platformën duhet me dhënë partia e parë, edhe presidenti. Por de fakto, emri i kryeministrit nga radhët e VV-së kalon nga zyrat e LDK-së dhe kjo është faktu”, thotë Haziri.

Nënkryetari i LDK-së vazhdon të insistoi se posti i presidentit do t’iu takojë atyre, pasi sipas tij, nuk është e shëndetshme që një parti t’i ketë disa poste kryesore kushtetuese.

Për këtë, Haziri thotë se ka rrezikim edhe nga presidenti aktual, i cili mund të jetë propozim i PDK-së.

Edhe Haziri: Ka me iu dalë tymi atyre që LDK-së iu largohen nga bashkëpunimi Arbëri Haziri: Ka me iu dalë tymi atyre që LDK-së iu largohen nga bashkëpunimi

“Nuk është e shëndetshme që një parti politike me i pas dy pozita, tri pozita institucionale. Le të themi sot Vetëvendosja e ka organin më të lartë Kushtetues Kuvendin, pritët me pas kryeministrin. Zotëri Thaçi është president që është votuar nga legjislatura e kaluar, por mbetët një derë e madhe nga opozita. Sepse vjen si nominim i PDK. Duke qenë një institucion i cili një formë ka mbet si opozitë së re dhe partive që pritët të marrin qeverisjen. LDK nuk ka asnjë pozitë kushtetuese në këtë riorganizim pas zgjedhjeve të 6 tetorit. Nuk i takon që LDK me u gjyku për këtë riorganizim. Ne po dëshirojmë të kemi qartësi sepse nuk dëshirojmë të ndërtojmë koalicion me të panjohurën”, thotë ai.

Haziri u shpreh kundër zgjedhjeve të reja. Për këtë u shpreh se do të punojnë për t’i shmangur ato në arritjen e marrëveshjes së koalicionit qeverisës.