Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haziri: Kurti do president që e përfaqëson atë e jo popullin

Lutfi Haziri

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, nuk po i konvenon një presidente si Vjosa Osmani. 

Haziri në “Konfront” të KTV-së ka thënë se Kurti po kërkon një president që e përfaqëson atë e jo popullin. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Haziri ka thënë se Kurti në 5 vjetët e fundit i ka pasur të tri pozitat, por “me vetë faktin që u nda i pakënaqur me Vjosa Osmanin, ai po do që ta sanojë këtë pakënaqësi”. 

“Nuk do që ta lejojë më një profil të Vjosa Osmanit me qenë në Presidencë. Kjo puna e zjarrfikësve është simbolikë. Një president që ushtron detyra të brendshme dhe nuk merret me probleme sistemore, politika sistemore. Por, profili i presidentit në Kosovë dallon prej Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut apo vendeve tjera. Këpucët e mëdha të presidentit i ka vendosur Ibrahim Rugova. Askujt s’po i bëjnë ato, e krejt kanë qejf me qenë në profilin e tij”, ka thënë Haziri. 

Haziri ka thënë se Vjosa e ka ushtruar të drejtën e vetë në Presidencë, si te çështjet e politikës së jashtme, garantimit të organeve të pavarur apo çështjet e sigurisë – gradimin e oficerëve e gjeneralëve, apo edhe emërimet e ambasadorëve. 

“Mos të harrojmë presidenti i Republikës sipas Kushtetutës te ne është përfaqësues dhe nuk ka pushtet”, tha Haziri. “...Kurti e do një president që është përfaqësues i tij jo i popullit të Kosovës. Këtë çështjen e mbiemrit ‘zjarrfikës’ nuk e ka me shoqatë të zjarrfikësve. Osmani ka pasur disa faza politike ku është dashur të sillet si zjarrfikëse karshi BE-së, NATO-s dhe SHBA-së. Vjosa ka ushtruar rolin e zjarrfikëses politike...z. Kurti s’po e do këtë rol të Vjosa Osmanit. Kjo është ajo që e kemi parë ne...Ai e ka bërë këtë me veprim”. 

 


Haziri: Ishim të gatshëm për të hyrë në sallë për të votuar për Osmanin

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se 15 deputetët e saj kanë qenë të gatshëm që në mbrëmjen e 28 prillit të hynin në sallën e Kuvendit për ta votuar Vjosa Osmanin për presidente.

Ai në “Konfront” të KTV-së ka thënë se LDK-ja i ka pasur 15 vota për cilindo kandidat të LDK-së për president.

“Parmbrëmë në 11 të natës ishte ftesa e fundit për seancë. 15 në 11 po të thoshte se jemi të gatshëm të bisedojmë, ne ishim të gatshëm të hynim në sallë ta votonim Vjosa Osmanin”, ka thënë Haziri.

Ai ka thënë se megjithatë oferta e kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit ka qenë që Osmani të kandidohej sa për të krijuar proces dhe të mundësohej gara dhe jo që ajo të zgjidhej presidente.

Haziri ka thënë se Kurti në takime nuk ka kërkuar emra. Ai ka deklaruar se kanë pritur nga Vetëvendosje që ta propozonte Osmanin për presidente. Sipas tij, gatishmëria te LDK-ja për Osmanin presidente ka qenë që prej ditës së parë apo takimit të parë me Kurtin.

I pyetur nëse edhe Avdullah Hoti do të votonte pro Osmanit edhe pse ishte shprehur kundër, Haziri ka thënë se edhe herën e kaluar Hoti ka qëndruar në sallë.

“Herën e kaluar nuk ka votuar, ka qenë korrekt. Kur thotë nuk votoj marr pjesë në proces, është gjysmë ndihmesë. Edhe herën e kaluar ka qëndruar në seancë. Nuk ka dalë. Vota kundër apo abstenimi është legjitim. Ne nuk i detyrojmë deputetët të japin votë me çdo kusht”, ka thënë Haziri.

Haziri: I bëmë ofertë Kurtit për bashkëpunim në katër fusha

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se kjo parti në të kaluarën i ka bërë oferta kryetarit të Vetëvendosjes dhe kryeministrit Albin Kurti për bashkëpunim në katër fusha.

Sipas tij, bashkëpunimi ka qenë i ofruar edhe pa përfshirje direkte në Qeveri.

“Jo çdo herë duhet të jesh në qeveri për të ndërtuar proces të përbashkët. Ne mund të jemi në opozitë, por dakordohemi me partinë e parë që në çështjet e sigurisë, integrimet evropiane, dialogun me Serbinë, energjinë ne mund të merremi vesh se mund të ju ndihmojmë. Nuk hyn në qeveri, por në këto çështje s’kemi dallime”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së. “Ia kemi bë edhe këtë ofertë zotit Kurti më herët, por është sjellë si lider dhe parti e vetëmjaftueshme. Kur ndihesh i vetëmjaftueshëm... pse po shkojmë në zgjedhje kur je i vetëmjaftueshëm. Qeveria është vetëm dega e rëndësishme e pushtetit të ekzekutivit. Por ka edhe disa degë të tjera dhe mbi të gjitha e ka popullin për të cilin duhet të kujdesesh çdo ditë”.


Haziri: Kishim marrëveshje me Kurtin që Mustafa të bëhej president

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se gjatë qeverisjes së LDK-së me LVV-në në vitin 2021, kanë pasur marrëveshje me Albin Kurtin që kryetari i partisë atëkohë, Isa Mustafa të bëhej president. 

Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Haziri ka thënë se dy partnerët e koalicionit kanë pasur të mbyllur pakon e marrëveshjes ku hynte Kuvendi, Qeveria dhe Presidenti. 

“Ne kemi bërë marrëveshje për president, e cila ka pasur të ndodhte në vitin 2021. Kemi biseduar për të gjitha çështjet, është fakt që na pati marrë më shumë kohë çështja e presidentit, por në fund jemi pajtuar, në takim ishim unë, znj. Vjosa Osmani dhe Albin Kurti e Besnik Bislimi, e kemi mbyllur pakon e marrëveshjen ku hynte Kuvendi, Qeveria, Presidenti dhe ministrat e është finalizuar. Kjo ka qenë qasja në të cilën kemi punuar. Isa Mustafa ishte emri për të cilin jemi pajtuar. Isa Mustafa nuk do të lejonte në asnjë mënyrë të ndryshonte Qeveria po të kishte merak ta merrte atë pozitë, sepse emri i tij ishte i konfirmuar prej dy partnerëve kryesorë që e kanë bërë shumicën e madhe në atë kohë”, ka thënë ai. 

Haziri ka shtuar se zhvillimet politike në atë kohë kanë qenë jashtëzakonisht të shpejta dhe veprimet e Kurtit kanë treguar se marrëveshja mund të ndryshonte. 

“Veprimi i njëanshëm i z.Kurti në raport me Qeverinë dhe në këtë rast me ministrin e Punëve të Brendshme në atë kohë ka qenë ajo që ka treguar qartë që vështirë është për të besuar se marrëveshja bëhet e paprekur”, ka theksuar ai.

 


Haziri: LDK-ja po bën përpjekje për rikthimin e madh

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se po bëhet përpjekje për rikthimin e madh të partisë. 

“LDK-ja po bën përpjekje të vazhdueshme për ta gjetur rrugën për rikthim të madh. Është mundësia më 7 qershor që të qohen në këmbë burra e gra, njerëz që besojnë në Republikë, që me rikthy rolin e LDK-së në shtet. Tendenca në Kosovë po bëhet që partia me u bë shtet”, ka thënë Haziri në “Konfront” të KTV-së.