Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë Kujtim Munishi duhet të japë dorëheqje nga posti i kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për shkak të rastit të 11-vjeçares që dyshohet se u dhunua javën e shkuar, e që në të kaluarën dyshohet se ishte cak i trafikimit.
Ministrja Haxhiu në një shkrim në Facebook ka shtruar tri pyetje që lidhen me rastin duke shtuar se duhet të ketë dorëheqje të kryeprokurorit e prokurorit që ishte i ngarkuar me rastin.
“Pse nuk vepronte Prokuroria Themelore në Prishtinë në muajin qershor? Pse nuk u arrestuan asokohe personat e dyshuar? Pse dy muaj me vonesë? Më e pakta që do të duhej të ndodhte është dorëheqja e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe prokurorit që ka qenë i ngarkuar ne rastin në muajin qershor. Pa pasur dorëheqje dhe shkarkime të atyre që nuk vepruan në kohë dhe sipas përgjegjësisë, fatkeqësisht mund të kemi viktima të tjera”, ka shkruar ajo.
Në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, deklarata e ministres është cilësuar e pabazë dhe e papranueshme.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë siguron edhe njëherë opinionin publik se trajtimi i rastit të 11 vjeçares nga ana e Prokurorit të Shtetit është bërë konform të gjitha dispozitave ligjore të cilat janë ndërmarrë në kohë dhe në mënyrë profesionale, në koordinim me institucionet e tjera relevante, andaj, për ne janë të pabaza dhe të papranueshme deklarata të tilla publike”, thuhet në reagim.
Edhe
Haxhiu: Me rastin e 11-vjeçares u mor menaxherja që s’kishte licencë profesionale
Kjo prokurori tutje ka kujtuar kërkesën që të angazhohet një psikolog pranë saj për trajtimin e çështjeve penale, sidomos për të miturit, por ka thënë se nuk i është plotësuar.
“Në vazhdën e kërkesave të kësaj prokurorie drejtuar organeve ekzekutive ka qenë kërkesë esenciale angazhimi i një psikologu pranë kësaj prokurorie, në trajtimin e çështjeve penale, sidomos atyre për të mitur, e cila kërkesë nuk është aprovuar asnjëherë me arsyetimin se nuk ka mjete buxhetore për ta mbuluar të njëjtën kërkesë, derisa e theksojmë se Prokurori i Shtetit ka vazhduar të trajtojë raste të tilla penale dhe do të mbetet i përkushtuar për përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore lidhur me këtë rast dhe të gjitha rastet e tjera të cilat i ka në trajtim, gjithmonë duke e ruajtur ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë institucionale”, thuhet në përgjigje.