Kronikë

Arrestohen 6 persona, dyshohen për trafikimin e 11-vjeçares në qershor

Gruaja nga Ferizaj raporton në Polici se i është dhunuar vajza e mitur

Gjashtë persona janë arrestuar nën dyshimin se në muajin qershor kishin kryer veprat penale të trafikimit dhe dhunimit të 11-vjeçares, që në javën e fundit të gushtit dyshohet të jetë dhunuar nga pesë persona në Prishtinë.

Siç kanë bërë të ditur Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës, pas sigurimit të ekzaminimeve dhe analizimit të provave dhe intervistimit të dëshmitarëve, të premten ka arrestuar gjashtë personat e dyshuar. Ata janë dërguar në mbajtje prej 48-orësh.

Të gjashtë personat e dyshuar, të moshës madhore, dyshohen për tri vepra penale në qershor, në periudhën kur e mitura ishte raportuar si person i zhdukur.

“Trafikimi me njerëz”, “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” dhe “Dhunimi” janë veprat për të cilat ata dyshohen.

“Sigurojmë opinionin publik se për të dy çështjet penale ku e përfshirë është viktima e mitur, prokuroria në koordinim me institucionet e tjera relevante ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me profesionalizëm e përgjegjësi dhe po vazhdon me ndërmarrjen e veprimeve hetimore tutje”, thuhet në njoftim të Prokurorisë dhe Policisë.

11-vjeçarja në Prishtinë dyshohet se javën e shkuar u dhunua seksualisht për 7 orë nga pesë persona në lagjen “Arbëria”. Të pestit janë arrestuar dhe ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit.

Rasti tronditi opinionin që u ngrit në protesta.

Për rastin ka dhënë dorëheqje drejtori i përgjithshëm i policisë, ndërsa janë shkarkuar edhe zyrtarë policorë në kryeqytet.