Ka shkuar në 11 numri i personave të arrestuar nën dyshimin se kanë trafikuar dhe dhunuar seksualisht një 11-vjeçare në Prishtinë.
Në fillim të javës u arrestuan pesë persona që dyshohen ta kenë dhunuar vajzën në lagjen “Arbëria” të shtunën e kaluar. Të pesëve iu caktua masa e paraburgimit prej një muaji.
Ndërkaq, pas sigurimit të ekzaminimeve dhe analizimit të provave, si dhe intervistimit të dëshmitarëve, Prokuroria Themelore ka arrestuar të premten edhe gjashtë persona të cilët dyshohen se kanë kryer veprat e trafikimit dhe dhunimit të viktimës, në muajin qershor. Në atë periudhë fëmija ishte raportuar si person i zhdukur. “Trafikimi me njerëz”, “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” dhe “Dhunimi” janë veprat për të cilat ata dyshohen. Ata janë dërguar në mbajtje prej 48-orësh.
Prokuroria në Prishtinë po i trajton dy rastet si të ndara.
Për rastin ka dhënë dorëheqje drejtori i përgjithshëm i policisë, ndërsa janë shkarkuar edhe zyrtarë policorë në kryeqytet.
Rasti nxiti edhe protesta në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni.