Kronikë

Aktakuzë ndaj pesë personave për dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar të enjten, se ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave, prej tyre tre të mitur, që dyshohen për dhunimin dhe shfrytëzimin e një 11-vjeçareje.

Sipas aktakuzës, i pandehuri E.R., ngarkohet për veprat penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”, dhe “Trafikimi me njerëz”, ndërsa i pandehuri Sh.K., ngarkohet për veprën penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”.

Po ashtu, njëri prej të miturve ngarkohet për veprat penale “Dhunimi”, “Trafikimi me njerëz”, dhe “Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi”.

Ndërkaq, dy të miturit e tjerë ngarkohen për veprat penale “Dhunimi”, si dhe për veprën penale “Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi”.

Rasti që tronditi opinionin ndodhi në muajin gusht të këtij viti. U organizuan protesta, ndërsa dha dorëheqje drejtori i Përgjithshëm i Policisë, ndërsa janë shkarkuar edhe zyrtarë policorë në kryeqytet.

Më pas u zbulua se 11-vjeçarja ishte dhunuar edhe gjatë muajit qershor. Për atë rast, Prokuroria ka thënë se janë ende në fazën e hetimeve.

“Përveç kësaj, ndaj rastit tjetër penal i cili i takon muajit qershor të këtij viti, ju njoftojmë se është në proces të zhvillimit të hetimeve, duke i dhënë prioritet deri në epilogun përfundimtar të kësaj çështjeje penale”, thuhet në njoftim.