Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Neglizhimi i rasteve të dhunës seksuale, Kurti fajëson gjykatat dhe prokuroritë

Pak ditë pas denoncimit të dhunimit të një 11-vjeçareje dhe reagimeve të forta publike janë shkarkuar dy drejtorë të Policisë Rajonale të Prishtinës. Por, me këto shkarkime nuk është mjaftuar kryeministri Albin Kurti, i cili ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial që të mos heshtin, duke i bërë edhe ata përgjegjës për rastet e tilla

Dhunimi i 11-vjeçares në Prishtinë javën e kaluar ka sjellë dorëheqje dhe shkarkime në Policinë e Kosovës. Drejtori i Policisë Rajonale në Prishtinë, Fahredin Verbovci, dhe drejtori për Operativë Rajonale të Prishtinës, Shkëlzen Xhafa, janë shkarkuar të premten. Por, këto shkarkime për kryeministrin Albin Kurti janë të pamjaftueshme. Nëpërmjet një postimi në Facebook ai e ka kritikuar Këshillin Gjyqësor e atë Prokurorial duke i bërë edhe ata përgjegjës për rastet e tilla.

“Sot është dita e tretë, ndërsa KGJK e KPK janë ende në heshtje. Asnjë fjalë lidhur me veprimet që do të ndërmarrin. Është bërë kohë e gjatë me drejtësi selektive e të pabarabartë, barra e rëndë e së cilës bie mbi supet e viktimave, kryesisht gra dhe vajza. Mosndëshkueshmëria ndaj dhunuesve, e edhe ndaj atyre që po i sjellin këto vendime, është e papranueshme. Shoqëria dhe shteti ynë nuk mund të bartin koston e mospunës dhe papërgjegjësisë së prokurorëve e gjyqtarëve”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, dy dorëheqje lidhur me rastin deri tani, ajo e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës dhe e drejtorit të Drejtorisë për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve nuk mjaftojnë.

“Në Shërbimin Korrektues të Kosovës ka dhënë dorëheqje drejtori i Drejtorisë për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, si akt moral, pasi që njëri nga të dyshuarit për dhunim ka qenë në mbajtje të dënimit në institucione korrektuese për disa vepra penale. Por, ku është morali i gjyqtarëve e prokurorëve? Aktakuza jo të fuqishme të prokurorëve mundësojnë që dhunuesit shpesh të mos ndëshkohen. Gjykatat nuk i gjykojnë rastet e dhunimeve në përputhje me ligjet në fuqi, që parashohin dënime prej më së paku 10 vjetësh për dhunë seksuale ndaj personit nën moshën 14 vjeç. Mijëra qytetarë, të mërkurën, kërkuan shkarkim të gjykatësve që kanë dhënë dënime nën minimalen e lejuar me ligj për rastet e dhunës seksuale dhe shkarkim të prokurorëve për neglizhencë ndaj këtyre rasteve”, ka shkruar Kurti.

Ndaj kritikave të tij ka reaguar KGJK-ja dhe KPK-ja duke e quajtur Qeverinë si institucion që nuk përngjan në institucione shtetërore

“Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial theksojnë se në raport me këtë çështje sillemi si institucione të përgjegjshme, të pavarura dhe profesionale dhe jo si disa institucione që përmes reagimeve me deklarata publike nuk përngjajnë në institucione shtetërore”, thuhet në reagimin e dy institucioneve të drejtësisë.

Edhe KGJK-ja e KPK-ja i kundërpërgjigjen Kurtit për akuzat lidhur me rastin e 11-vjeçares Arbëri KGJK-ja e KPK-ja i kundërpërgjigjen Kurtit për akuzat lidhur me rastin e 11-vjeçares

Qeverisë ato i kanë bërë thirrje që të përmbushë përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore për krijimin e kushteve të nevojshme për strehimin dhe rehabilitimin e viktimave të krimit.

Për shkak të dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë nga 5 persona, dorëheqje kanë dhënë drejtori i përgjithshëm i Policisë dhe drejtori i Drejtorisë për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve.

Pak ditë më parë është bërë publik rasti i dhunimit seksual të 11-vjeçares në Prishtinë, që pretendohet të jetë kryer më 27 gusht, nga pesë të dyshuar, tre prej të cilëve të mitur. Pesë të dyshuarit tashmë janë arrestuar dhe ndaj tyre është caktuar nga një muaj paraburgim për secilin. Ky rast ka nxitur reagime të shumta, derisa janë zhvilluar edhe protesta në Prishtinë, Tiranë e Shkup.