Arbëri

Haxhiu: LVV-ja ndoshta e ndërron propozimin për kryeparlamentar

Seanca për konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit ka dështuar për herë të 37-të. Si pasojë e mungesës së kuorumit vendimmarrës, vazhdimi i seancës u ndërpre për 48 orë. Partitë nga të dy kampet politike përsëriten akuzat e njëjta ndaj njëra-tjetrës. E, e propozuara e LVV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, dha sinjale se partia që i përket mund edhe ta ndryshojë propozimin

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, ka thënë të mërkurën se nëse në Kuvend tejkalohet ngërçi te Komisioni për votimin e fshehtë, partia që ajo i përket mund ta japë një propozim tjetër për kryeparlamentar, siç kanë kërkuar partitë opozitare.

“Kushedi, ndoshta Vetëvendosja do ta ketë një qëndrim tjetër. Por, një herë po flasim për Komisionin për votimin e fshehtë. Por, opozita s’po lejon as të shkojë te propozimi i radhës”, ka thënë Haxhiu.

Dy nga tri subjektet politike që në mandatin e shkuar kanë qenë në opozitë kanë dhënë zotimin se do të votojnë pro kryeparlamentarit që e propozon LVV-ja, në rast se ndërrohet emri. Por, kanë përmendur disa kushte. PDK-ja ka kërkuar që kandidatë nuk duhet të jenë ndonjë nga anëtarët e qeverisë së mandatit që ka përfunduar, ndërkaq AAK-ja ka precizuar tre emra të mundshëm deputetësh që do t’i votonte për drejtimin e Kuvendit. 

Ndërkaq, LDK-ja është partia e vetme që ka shprehur qëndrimin për të mos votuar dikë nga kandidatët e propozuar nga LVV-ja.

E, kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar të palogjikshme deklaratën kryeministrit në detyrë Albin Kurti, që të martën tha se opozita në Kosovë po ia zgjat mandatin e tij në Qeveri, me mospjesëmarrje në votim në seancën konstituive të Kuvendit.

Abdixhiku u shpreh se Kurti ka uzurpuar dy pozita shtetërore, atë të kryeministrit dhe të deputetit në të njëjtën kohë.

“Mos i dëgjoni të gjithë njerëzit që flasin gjëra pa fije inteligjence, si të ia zgjasin mandatin zotëri Kurtit. Është jo legjitim, nuk ka mandat, e ka uzurpuar detyrën e kryeministrit dhe të deputetit në të njëjtën kohë. Nuk ka logjikë një gjë e tillë. Është urgjente që të bëhen institucionet”, ka thënë Abdixhiku.

E për çështjen e mbajtjes së dy pozitave njëherësh, Kurti u pyet nga gazetarët se në çfarë cilësie po shkon të marrë pjesë në seancë, por nuk u përgjigj.

Kurti shkoi në seancë bashkë me 91 deputetë.

Por, mbledhja e tyre që zgjati vetëm pak minuta e shënoi dështimin e 37-të në konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit.

Në votim doli formimi i Komisionit për votimin e fshehtë që sërish nuk u kompletua me anëtarë të PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Nismës, si dhe të Listës Serbe. 

Pa votat e tyre as nuk u formua e as kundërshtua ky komision.

Mungesa e kuorumit vendimmarrës e ndërpreu edhe këtë vazhdim të seancës konstituive.

“52 deputetë kanë dhënë votën për, kundër nuk ka, abstenime nuk ka, ndërpritet seanca”, ka kumtuar kryesuesi i seancës, deputeti Avni Dehari.

E pas saj deputetët nga të dy taborët politikë përsëritën akuzat e njëjta për njëri-tjetrin.

“Sërish ishim dëshmitarë të shpërfaqjes së papërgjegjësisë politike, qytetare, të subjektit të parë parlamentar. Kjo gjendje, kjo situatë është tërësisht e papranueshme. Mirëpo, në këtë pikë të bllokadës së plotë jemi si rezultat i kryeneçësisë, e papërgjegjësisë së Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit”, ka thënë deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku.

Edhe deputeti i LDK-së, Alban Zogaj, hodhi akuza të kësaj natyre.

“Fajtori kryesor për këtë situatë që e kemi aktualisht është partia e cila i ka fituar zgjedhjet në këtë vend. Brenga jonë më e madhe është se nuk ka asnjë përpjekje për të dalë nga kjo situatë. Pa përpjekje serioze për të dalë nga kjo situatë ne do të jemi kështu edhe në seri të tjera të takimeve”, ka thënë ai.

Por, akuzave u është kundërvënë deputetja e LVV-së, Jeta Statovci.

“Ne po e shohim që egoja e opozitës është më e lartë sesa interesi i Kosovës dhe konstituimi i Kuvendit. Andaj përmes një strategjie sabotuese dhe bllokuese nuk kemi pjesëmarrje të procesit të votimit. Ne kemi qenë vazhdimisht thirrës në sensin që të kemi pjesëmarrje të votimit qoftë përmes votës për, kundër, apo abstenimeve”, ka thënë ajo.

Të premten do të mbahet vazhdimi i 38-të i seancës konstituive me fillim nga ora 11.