Pas pak minutash seanca u ndërpre, pasi nuk u sigurua kuorumi për formimin e komisionit që do të organizonte votimin e kryetarit të Kuvendit me votë të fshehtë, propozim ky që u bë nga Lëvizja Vetëvendosje me arsyetimin se i kontribuon daljes nga ngërçi institucional. Kjo është hera e tretë që nuk votohet ky komision, ndërkohë në gjashtë herë të tjera e propozuara nga LVV-ja për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, ka dështuar të marrë votat e nevojshme
Kuvendi i Kosovës nuk është funksional as pas 11 mbledhjeve në përpjekje për përmbylljen e një seance të vetme, asaj konstituive.
Në takimin e radhës të hënën, në fillim deputetët mbajtën një minutë heshtje për nder të Ditës së Dëshmorëve të Kombit, të cilin e injoruan nëntë deputetët e Listës Serbe.
Deputeti më i vjetër i legjislaturës së nëntë, Avni Dehari, i cili vjen nga partia më e madhe, Lëvizja Vetëvendosje, vazhdoi aty ky e kishte lënë para dy ditëve, i ftoi subjektet e tjera në parlament që ta propozojnë nga një deputet për ta formuar komisionin që organizon votimin e kryekuvendarit në mënyrë të fshehtë.
Thirrjes së Deharit nuk iu përgjigjen PDK-ja, LDK-ja, AAK-NISMA dhe Lista Serbe.
E VV-ja propozimin e saj e kishte dhënë të enjten për deputetin Hekuran Murati, derisa partia turke KDTP, Fidan Brina-Jiltën.
Me vetëm dy anëtarë kryesuesi Dehari e hodhi në votim formimin e këtij komisioni.
“56 deputetë kanë dhënë votën për, 1 kundër, abstenim nuk ka, s’kemi pasur sërish kuorum dhe seanca ndërpritet dhe më 7 maj shihemi përsëri në orën 10:00”, ka thënë Dehari.
Nga 15 prilli, kur nisi seanca konstituive, deputetët i kanë kaluar dy pika të rendit të ditës, verifikimin e mandateve dhe betimin.
E pika e tretë, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, deri tash ka mbetur e pakalueshme.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, propozimin e emrit duhet ta bëjë partia më e madhe, në këtë rast Vetëvendosja.
6 herë ka dështuar t’i marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur kryeparlamentare deputetja Albulena Haxhiu.
E për të tretën herë Vetëvendosja po tenton ta ndërrojë formën e votimit, nga ai i hapur në të fshehtë, por kjo është refuzuar nga partitë opozitare.
Këtë në partinë më të madhe e kanë prezantuar si formulë për zhbllokimin e ngërçit të Kuvendit, e partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë kanë konsideruar që ndërrimi i formës së votimit në këtë pikë shkel Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe Kushtetutën.
Pas dështimit për të njëmbëdhjetën herë me radhë të konstituimit të Kuvendit, po aq herë deputetët e Vetëvendosjes fajësuan partitë e tjera për bllokim, e Vetëvendosje u fajësua nga to.
Mosvotimin që të formohet një komision për ta organizuar zgjedhjen me votë të fshehtë të kryeparlamentarit e ka cilësuar si shtypje të vullnetit të ligjvënësve deputeti i LVV-së, Hekuran Murati.
“E patë që vullneti i deputetit po vazhdon të ndrydhet përmes insistimit për votim të hapur, ne kemi kërkuar që të gjendet një rrugëzgjidhje, pra votimi i fshehtë është një mënyrë kushtetuese se si dilet nga situata, por po e shohim që partitë nga opozita vazhdojnë të mos u besojnë deputetëve të tyre”, ka thënë Murati.
E kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, ka kritikuar qasjen e LVV-së në këtë proces.
Ka thënë se Haxhiu nuk do bëhet kryeparlamentare edhe po të propozohet edhe 111 herë.
“Kur nuk të pëlqen dhe nuk pajtohesh me të vërtetën dhe realitetin, nuk mund ta ndryshosh atë, por vetveten dhe këta sot me të vërtetë i ftoj që ta ndërrojnë këtë mentalitet imponues dhe të vijnë me një kandidaturë, e cila mund ta zhbllokojë këtë situatë. Përndryshe mund të vijmë edhe 111 herë të tjera, me shumë keqardhje dhe duke u shtrënguar para qytetarëve të vendit tonë, por Albulena Haxhiu nuk kalon”, ka thënë Krasniqi.
LDK-ja deri tash nuk ka pranuar të diskutojë për ndonjë bashkëpunim apo të votojë ndonjë propozim të VV-së.
Para nisjes së seancës deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se institucionet nuk mund të krijohen pa marrëveshje politike.
“Është e qartë tashmë se pa pasur një marrëveshje politike dhe pa u definuar se cila parti apo cili subjekt do ta sigurojë shumicën, për të krijuar Kuvendin edhe Qeverinë e Kosovës, nuk besoj se do të ketë ndonjë rezultat”, ka theksuar Zemaj.
E kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se fajin për bllokim e kanë tri partitë më të mëdha, proporcionalisht me fuqinë parlamentare.
“Nisma është e gatshme të japë kontributin e vet, kur t’i kërkohet që vendin mos ta lejojmë në krizë institucionale. Mirëpo përgjegjësinë kryesore për t’i dhënë një zgjidhje vendit, për mundësinë që e kanë, e kanë tri partitë më të mëdha politike”, ka thënë ai.
Seanca e radhës është thirrur për 7 maj, ku Kuvendi do të tentojë përsëri ta zgjedhë kryetarin, që do t’i hapte rrugë edhe pikës së katërt të rendit të ditës – zgjedhjes së pesë nënkryetarëve.