Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se përfaqësues të partive opozitare po japin qëndrime ndryshe në takime brenda dhe ndryshe para mediave.

Në një intervistë për emisionin “Konfront” në Kohavision, ajo ka ndërlidhur këtë me diskutimet për zgjedhjen e presidentit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

 “Mendoj që është shumë e rëndësishme që të pajtohemi për një gjë – që vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme... Nganjëherë krijohet përshtypja që dikush do që të shkojë sepse ndoshta mendon se mund të prishet rezultati i dhjetorit të vitit të kaluar... Deputetë nga partitë politike, pra jo si qëndrime të partive politike, por është e rëndësishme që ajo çfarë thuhet në takim të jetë qëndrim i partisë politike – të jetë tamam ashtu siç thuhet dhe jo diçka tjetër të thuhet në takime e diçka tjetër jashtë takimeve”, ka thënë ajo.

Në intervistë, Haxhiu ka folur edhe për vendimin që do ta marrë për kompletimin e KQZ-së. Haxhiu, e cila ushtron detyrën e presidentes duke qenë kryeparlamentare, ka folur edhe për ekspozitën me pasaktësi për masakrat, e cila është financuar edhe nga Kuvendi.

Në intervistë, Haxhiu ka dhënë pikëpamjen e saj edhe për Projektrezolutën e propozuar nga PDK-ja, një pikë e së cilës kërkon ndryshime në Kodin penal, me qëllim që të ndiqet penalisht kushdo që mohon ose minimizon krimet e Serbisë. Ajo ka theksuar se dëshmorët e viktimat nuk bën të përmenden veç në prag zgjedhjesh.

Haxhiu: Dëmi më i madh që i është bërë luftës është krijimi i Speciales

1 muaj më parë / 9 pri 2026 21:10
Albulena Haxhiu

Albulena Haxhiu, e cila ushtron detyrën e presidentes duke qenë kryeparlamentare, ka folur në “Konfront” të KTV-së edhe për ekspozitën me pasaktësi për masakrat, e cila është financuar edhe nga Kuvendi.

Ajo insistoi se veprime të tjera në të kaluarën kanë bërë më shumë dëm sesa ekspozita.

“Dëmi më i madh që iu ka bërë luftës është Gjykata Speciale. Mendoj që për këtë duhet të pajtohemi dhe në këtë drejtim dëmi tjetër është që ne më shumë dy dekada pas luftës e kemi ngritur Institutin për Krimet e Luftës, merreni me mend... Po të punohej në dokumentim, ne nuk do t'i kishim këto probleme”, ka thënë ajo.

Ekspozita “Masakrat në Kosovë 1998-1999” u ndalua në qendër të Prishtinës për shkak të reagimeve që nxiti me pasaktësitë, duke i cilësuar si “të armatosur” civilët e vrarë nëpër masakra.

Haxhiu: VV-ja nëse do të kishte siguri për 80 vota s'do të kishte arsye të mos e propozonte Osmanin

1 muaj më parë / 9 pri 2026 20:58
Albulena Haxhiu

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se po t’i kishte 80 vota të siguruara në Kuvendin e Kosovës për presidente Vjosa Osmani, Lëvizja Vetëvendosje nuk do të kishte arsye që të mos ta propozonte. 

Në intervistën dhënë KTV-së në emisionin “Konfront” të enjten, Haxhiu ka thënë se i vetmi emër për të cilin ka pasur konsensus është Murat Jashari. 

“Diskutimet e partive politike, apo qëndrimet më mirë të themi, në raport me kandidatura kanë qenë publike dhe ne i dimë të gjitha këto qëndrime politike. Pra, Vetëvendosje në qoftë se do të kishte siguri që znj.Osmani-Sadriu do t’i kishte 80 vota në Kuvendin e Kosovës, nuk do të kishim arsye që mos ta propozonim si kandidate për presidente. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në kohën e Behgjet Pacollit pati thënë se duhet të jenë 2/3 në rundin e parë dhe të dytë. Prandaj, jemi në rrethanat e tilla, i vetmi emër për të cilin ka pasur konsensus ka qenë z.Murat Jashari, i vetmi emër”, ka deklaruar ajo.

Haxhiu pret që ose VV-ja, ose PDK-ja ta çojnë në Kushtetuese

1 muaj më parë / 9 pri 2026 20:27
Albulena Haxhiu

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, beson që ose partia e saj, Lëvizja Vetëvendosje, ose Partia Demokratike e Kosovës, do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Në “Konfront” të KTV-së, Haxhiu ka thënë se kjo do të ndodhë varësisht prej vendimit që do të marrë për të caktuar se kujt i takon ulësja e fundit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

VV-ja dhe PDK-ja kanë kërkuar që kjo pozitë t’u takojë atyre. VV-ja po e kërkon ulësen e tretë e PDK-ja të dytën.

Duke paralajmëruar se në një aktgjykim të mëhershëm Gjykata Kushtetuese ka vendosur se kush ka më shumë ulëse në Kuvend duhet të ketë më shumë ulëse edhe në KQZ, Haxhiu ka thënë se pret që të përballet me ankesë cilido vendim.

“Parimi i proporcionalitetit; përfaqësimi dhe fuqia politike janë diçka shumë e rëndësishme. Në Kuvendin e Republikës së Kosovës kemi komisione parlamentare. Lëvizja Vetëvendosje, Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes i ka pesë anëtarë në komisione parlamentare, PDK-ja i ka dy ndërsa të tjerët e kanë nga një anëtar. Ky është proporcionaliteti. Përfaqësimi dhe fuqia politike që del nga rezultati i zgjedhjeve”, ka thënë Haxhiu.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës javë më parë e shpalli të papranueshme kërkesën e presidentes Vjosa Osmani për sqarimin lidhur me çështjen e emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Osmani kishte kërkuar vlerësimin e “konfliktit në mes të kompetencave kushtetuese sipas nenit 113 (3) (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, përkatësisht në mes të parashtrueses së kërkesës dhe “grupeve parlamentare si trupa të Kuvendit të Republikës së Kosovës” në ndërlidhje me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

PDK-ja pastaj pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese me të cilin është deklaruar e papranueshme kërkesa për konflikt kompetencash ndërmjet Presidentes dhe grupeve parlamentare, ka kërkuar emërimin e anëtarit të dytë në KQZ, mirëpo kjo çështje nuk përfundoi në mandatin e Osmanit.

Në këtë parti thanë se presin nga Haxhiu që pa vonesë ta emërojë Rashit Qalajn, që është propozuar nga kjo parti.

Por, shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka thënë se presin që pa vonesa, Haxhiu ta emërojë anëtarin e tretë të LVV-së në KQZ.

Data 11 prill është afati i fundit ligjor për ta bërë emërimin e anëtarit të fundit të KQZ-së.

Kushtetuta kërkon që gjashtë anëtarë të KQZ-së emërohen nga 6 grupet më të mëdha parlamentare që nuk mbajnë vende të rezervuara. E, nëse në Kuvend ka më pak grupe parlamentare, sipas Kushtetutës, grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë.