Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, ka mirëpritur në takim homologun e tij ukrainas, Dmytro Kuleba, i cili ndodhet në Tiranë si pjesë e delegacionit që e shoqëron presidentin Volodymyr Zelensky në Samitin Ukrainë-Europa Juglindore që do të mbahet sot në mesditë në “Pallatin e Kongreseve”.
Në një deklaratë për shtyp pas takimit, Hasani ka shprehur mbështetjen e Shqipërisë për sovranitetin, lirinë, pavarësinë, tërësinë territoriale të Ukrainës.
“Shqipëria dënon me forcë agresionin rus ndaj Ukrainës. Vijojmë përpjekjet për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për krimet e kryera në Ukrainë”, tha ministri Hasani.
Sipas, Hasanit, plani me 10 pika i presidentit Zelensky, është mundësia më realiste për arritjen e paqes në konfliktin me Rusinë.
“Plani me 10 pika i presidentit Zelenskyy, mundësia më realiste për arritjen e paqes. Bashkë me aleatët, të angazhuar për realizimin e Pikës 5 për “Rivendosjen e tërësisë territoriale dhe sovranitetit të Ukrainës. Ukraina, përparësi e punës së Shqipërisë në të gjitha forumet ndërkombëtare. Hapja e Ambasadës tonë në Kiev, shpresojmë brenda këtij viti”, tha Hasani.
Edhe
Zelensky arrin në Tiranë
Hasani zbuloi se në fokus të takimi ka qenë ndihma ekonomike që Shqipëria mund të ofrojë për Ukrainën e rrënuar nga lufta.
“Diskutuam për avancimin e marrëdhënieve të mira Shqipëri-Ukrainë. Në fokus të bisedës, ndihma ekonomike që Shqipëria mund të ofrojë për Ukrainën. Dakortësi për rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve”, tha ministri, duke ritheksuar mbështetjen e rrugës evropiane të Ukrainës. “Mbështesim avancimin e Ukrainës në rrugën e saj pro-evropiane. Të gatshëm që të ofrojmë përvojën tonë të deritanishme në këtë proces. Uroj që Samiti i sotëm të ofrojë perspektiva të reja për të ardhmen e Ukrainës”./TCH