Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, e sheh insistimin e pushtetit për ta hapur Urën e Ibrit për qarkullim të veturave, si fushatë “për t’i ruajtur votat”.
Hasani të njëjtë e ka quajtur edhe veprimin e sotëm të mbylljes së nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës.
Hasani ka thënë se ka dy ura tjera ku qarkullojnë automjetet e njerëzit pa ndërprerë nëpër Mitrovicë.
Ai ka thënë se Perëndimi është duke u përpjekur që të mos i lë hapësirë Rusisë e Kinës dhe aleatëve të tyre për të krijuar zona krize në Ballkan dhe se nuk ka logjikë për të hapur fronte të reja.
“Logjika është kjo po bëhet për galeri të brendshme. Qartë shihet se Kurti e ka ekzistenciale me e ruajtur votën së paku deri 35 për qind, pasi po ra nën të do të ketë pasoja për fatin e tij politik afatgjatë. Çështja e urës dhe temave të ngjashme me urën, si mbyllja e filialeve të postës serbe në territorin e Kosovës. Këto janë në funksion të galerisë së brendshme për ta mbajtur votuesin në tension. Nuk shoh arsye tjera”, tha Hasani në “Interaktiv” të KTV-së”.
Hasani i quan të gabuara deklaratat e Kurtit nga Maqedonia e Veriut
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka komentuar incidentin me presidenten Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit javën e kaluar, ku asaj i ishte kërkuar nga stafi i sigurimit të aeroportit t’i skanohet çanta dhe telefoni personal.
Hasani ka thënë se presidentja Osmani ka pasur të drejtë të reagojë, pasi shefi i shtetit gëzon status special sipas të drejtës ndërkombëtare zakonore dhe se kjo është reflektuar edhe me Konventën e Vjenës.
“Shefi i shtetit është i paprekshëm, pavarësisht statusin a gjendet në cilësi zyrtare, private apo tranzit siç ka qenë për të kaluar në një vend të tretë. Gjithmonë duhet ruajtur dinjiteti i personit, pra shefit të shtetit, pasi është imazhi i atij shteti. Prandaj është ky status special”, ka thënë Hasani në “Interaktiv” të KTV-së.
Ai ka kritikuar deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që ka dhënë sot në Shkup në konferencë të përbashkët me kryeministrin maqedonas Hristijan Mickoki, e që tha se po pret raportin e hetimit zyrtar nga pala maqedonase.
“Ajo e kryeministrit është gabim...Është për keqardhje deklarata e tij. Me atë po e cenon sovranitetin e shtetit tonë, pasi po pranon që dinjiteti i shtetit të jetë objekt i një komisioni hetimor ku shteti yt nuk merr pjesë”, ka thënë Hasani.
Hasani: Osmani gaboi që nuk e pranoi Konjufcën në takim
Hasani po ashtu ka folur edhe lidhur me takimin që presidentja Vjosa Osmani e pati javën e kaluar me krerët e partive politike lidhur me datën e zgjedhjeve të rregullta.
Në takim nuk erdhi kryeministri dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Kryekuvendari Glauk Konjufca shprehur gatishmëri të merrte pjesë nga radhët e partisë në pushtet, por Osmani e refuzoi duke thënë se ftesa ishte vetëm për krerë të partive.
Hasani ka thënë se Osmani ka gabuar në këtë rast.
“Ishte gabim i saj, pasi ajo nuk e cakton se kush merr pjesë në emër të cilës parti. Është me Kushtetutë e qartë, shefi i shtetit takon forcat politike, nuk thotë kryetarët e partive politike. Ligji edhe më saktë e analizon këtë dimension. Osmanit s’duhet t’i interesojë fare se kush dhe si përfaqësohet”, ka thënë Hasani.