Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka deklaruar se nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që të lejon që paradite të marrësh vendime në Qeveri, e pasdite të shkosh në kuvend si deputet.
Hasani në emisionin “Konfront” në KTV, deklaroi se historia politike e kushtetuese, do ta mbajë në mend kryeministrin në detyrë Albin Kurti, si uzurpator të pushtetit.
“Jam i sigurt që historia politike dhe kushtetuese do ta rekordojë, një njeri ka uzurupuar pushtetin dhe është deputet. Paradite shkon voton ligj aty. Qeveri në detyrë është ajo që ka shkëputur çdo legjitimitet politik me parlamentin, shumë e thjeshtë është mund të pyesësh edhe në ‘chatgpt’. Ky po sillet si me qenë qeveri në dorëheqje, edhe ashtu ska të drejtë. Nga Qeveria voton ligje, pasdite shkon parlament dhe voton. Ky është uzurpim. Cila Kushtetutë e lejon këtë? Nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që e lejon një gjë të tillë”, deklaroi Hasani.
Hasani tutje tha se me ligj “ekziston qeveri që i ka përfunduar mandati por ata nuk mbajnë edhe postin e deputetit”.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se që nga zgjedhja e Vjosa Osmanit si presidente e Kosovës, kjo e fundit ka paraqitur anime politike.
Ai ka përmendur shkarkimin e Valdete Dakës nga pozita e kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si vendim arbitrar, e deri te vendimet e fundit politike të presidentes rreth mandatarit të qeverisë.
“Kur kemi marrë vendim për Sejdiun, një prej arsyetimeve ka qenë që mbajtja e dy pozitave nënkupton anim politik, dhe çdo ditë qytetari e sheh presidentin duke anuar dhe këtë po e shohin te Osmani prej ditës së parë. Prej shkarkimit në mënyrë arbitrare të shefes së KQZ-së e deri këtu. Presidenti ka pushtet neutral dhe ndërmjetëm, vetëm t’i balancojë të tjerët, jo të marr krah. Nuk mundet presidenti i një vendi me gjykime subjektive, sepse është arbitraritet”, ka thënë Hasani.
Hasani: Mandatimi i Konjufcës nga presidentja, vendim arbitrar dhe shkelje kushtetuese
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani thotë se është shkelje kushtetuese nga ana e presidentes Vjosa Osmani, mandatimi i Glauk Konjufcës për formimin e qeverisë së re.
Hasani në emisionin “Konfront” në KTV, tha se ky vendim është edhe arbitrar sepse presidentja e shtetit nuk mundet të marrë një vendim vetëm sepse mendon ashtu dhe i duket se ka gjasa që Konjufca i ka numrat.
“Në rend të parë është abuzim i pushtetit sepse është bërë në mënyrë arbitrare mandatimi i Konjufcës dhe shkelje kushtetuese për faktin se nuk janë respektuar kriteret të cilat janë kritere objektive të matshme të përcaktuara edhe me Kushtetutë por mbi të gjitha me dy aktgjykime të Gjykatës Kushtetutese. Gjykimi i parë siç e dini ka dhënë përcaktues një standard që është quajtur kriter përcakatues që nënkupton çdo herë vlerësim të matshëm të dy vlerave. Cila ka vlerë ma të madhe, duhet të plotësohet me aktgjykimin e dytë i cili ka përcaktuar se kur abuzohet e drejta ose prerogative kushtetuese e fituesit të zgjedhjeve dhe janë caktuar kriteret e matshme. Është thënë t’i iket zgjedhjeve. Mbi bazën e matjes së këtyre dy kritereve mbizotëruese, ikjes së zgjedhjeve, nuk mundet të prevalojë me çdo kusht. Diskrecioni i presidentit të Republikës, një organi, ani nuk është arbitraritet, të bësh çka të duash. Ajo se cfarë bëri Osmani është tërësisht subjektive”, deklaroi Hasani.
Presidentja Vjosa Osmani ka mandatuar për kryeministër, nënkryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, të martën.
Konjufca është kandidati i dytë i Lëvizjes Vetëvendosje që Osmani e ka mandatuar për postin e kreut të ekzekutivit. Më 26 tetor, i mandatuari i parë, Albin Kurti, që është edhe kryetar i Vetëvendosjes, nuk arriti të marrë votat e nevojshme në Kuvend.