Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hasani: Dekreti shihej qartë edhe nga qielli se është antikushtetues

Enver Hasani

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se është parë qysh nga fillimi se dekreti i shpallur nga presidentja Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit, është antikushtetues.

Sipas tij, të gjitha pikat e aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese kanë qenë të arsyetuara dhe të bazuara.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Hasani ka thënë se efekti i dekretit të Osmanit nuk ka kurrfar efekti.

“Në bazë të pjesëve që i ka dhënë në aktgjykim gjykata, është jashtëzakonisht, profesionalisht e arsyetuar pse dekreti është jokushtetues, të gjitha pikat, tërësisht ka qenë i bazuar. Efekti i dekretit është zero. Po ta kishte lejuar atë, dekreti do të duhej të ishte ‘shpërndaj parlamentin’, jo ‘shpërndahet’, sepse 2/3 kanë votuar, sepse nuk është zgjedhur qeveria për herë të dytë, sepse nuk është zgjedhur presidenti për 60 ditë, të gjitha këto i ka konfirmuar gjykata në nenin 82. Nga dita e parë kam thënë se shihet qartë nga qielli që është antikushtetues”, ka thënë ai.

 


Hasani: S'është jokushtetuese të ndërrohen kandidatët aktualë për President

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka deklaruar se nuk është antikushtetues ndryshimi i emrave të kandidatëve aktualë për president.

Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Hasani ka deklaruar se nuk ka një dispozitë direkte që thotë se është në kundërshtim me Kushtetutën ndërrimi i kandidatëve.

Sipas tij, do të prodhohej krizë kushtetuese po që se provohet të imponohet kandidati.

“Ata që janë dy kundërkandidatë mund të tërhiqen pasi askush nuk i lë me zor, pra z.Konjufca dhe znj.Kollçaku. Nëse duan ta komplikojnë atëherë bëjnë filma ashtu edhe siç po bëjnë, por në standardin e sotëm nuk mund të thuhet se është jokushtetuese për t’i ndërruar kandidatët. Nuk ka një dispozitë direkte që nuk është në pajtim me Kushtetutën... unë mendoj se problemi prodhon krizë kushtetuese kur provohet të imponohet kandidati, siç po provohet.  Askush nuk mund t’i ndalë kandidatët që të tërhiqen, nënshkrimet mund t’i japin diku tjetër, nëse tërhiqen këta duhet t’i gjejnë dy kandidatë të tjerë brenda 34 ditësh dhe të përfundojnë punë brenda atyre ditësh", ka thënë ai.


Hasani për vendimin e Kushtetueses mbi dekretin e presidentes: Presion i politikës

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese që e shpalli pa efekt juridik dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit, ka treguar sërish hezitim që në dispozitiv t’u shkohet gjërave deri në fund.

Ai ka thënë se flitet për antikushtetutshmëri, por se ka presion të madh politik mbi gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.

“Pa asnjë diskutim, aty është miratuar në tërësi kërkesa e Qeverisë sepse dekreti u shpall pa asnjë efekt juridik. Pra pavlefshmëri absolute. Nuk e prodhon asnjë pasojë. Është dekret antikushtetues në totalitetin e vet. Ky aktgjykim si edhe ai i vitit të kaluar për konstituimin, ka hezitim që t’u shkohet gjërave deri në fund në dispozitiv”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së.

Sipas tij, mosspecifikimi direkt në dispozitiv se bëhet fjalë për dekret antikushtetues, është për shkak të “trysnisë dhe presionit”.

“Nuk besoj se ka të bëjë me atë që po thuhet, balancim. S’ka të bëjë me balancimin. Arsyetimi flet qartë për antikushtetutshmëri të qartë. Më shumë besoj për shkak të trysninë, presionit. Ata gjyqtarë që një vit e gjysmë dy, e pashembullt në Ballkan. Për gjyqësinë kushtetuese këto raste qysh janë terrorizuar, janë sulmuar, në mënyrën më brutale, më primitive... Një pjesë 90-91 ka mund të jetë në Bjellorusi, Rusi, pak Bullgari, Sllovaki e në Shqipëri kur u formua gjykata e parë. Por kjo kështu me këtë metodë... Presion i politikës, i pushtetit, i këtij pushtetit. Pra presidentja dhe qeveria. E pabesueshme. Nën çdo nivel, janë marrë me emra e mbiemra”, ka thënë tutje ai.

Një ditë më parë Kushtetuesja rrëzoi dekretin e presidentes Vjosa Osmani, me të cilin ajo e shpërndau Kuvendin, nën arsyetimin se nuk e ka zgjedhur presidentin së paku 30 ditë para se t’i përfundojë mandati asaj. Gjykata Kushtetuese e ka shpallur pa efekt këtë dekret, dhe ua ka lënë ligjvënësve në dispozicion 34 ditë kohë për ta zgjedhur kreun e shtetit. Në rast dështimi, legjislatura e dhjetë shpërndahet dhe zgjedhjet e parakohshme duhet të organizohen brenda 45 ditësh.