Adelina Hasani nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka thënë se vizita në Kosovë e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tregon për intensifikimin e dialogut dhe rëndësinë që ky proces ka për SHBA-në dhe BE-në.
Në Interaktiv të KTV-së ajo ka theksuar se Lajçak ka dashur ta marrë miratim nga opozita për atë që është diskutuar deri tani dhe draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Jemi në momentum të rëndësishëm historik. Për momentin kryeministri ka shprehur gatishmëri për ta pranuar draftstatutin dhe marrëveshjet që janë arritur më herët. Ka insistim që të nënshkruhen këto tri marrëveshje, kjo është e rëndësishme sepse kemi parë marrëveshje që nuk janë implementuar nga Serbia. Një insistim i tillë për nënshkrim ka rëndësi të madhe”, ka thënë ajo.
Sipas Hasanit, presidenti serb nuk do ta nënshkruajë një marrëveshje ku kërkohet njohja e Kosovës, sidomos para zgjedhjeve në Serbi.
“Serbia apo Vuçiqi nuk do ta nënshkruajë një marrëveshje të tillë para zgjedhjeve, por e lë Kosovën në pozicion të mirë sepse ka treguar gatishmëri për nënshkrim”.
Ajo ka deklaruar se SHBA-ja dhe BE-ja duhet t’i ofrojnë Kosovës siguri pas marrëveshjes.
“Nëse Kosova e bën një hap, qoftë për Asociacionin, qoftë për njohjen e simboleve shtetërore që duhej të vinte edhe nga ana e Serbisë, SHBA-ja dhe BE-ja duhet të jenë garantues në hapjen e rrugës së Kosovës në njohjen e pesë shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur”, ka thënë ajo.
Edhe
Hasani: Njohja formale nga Serbia do ta sjellë edhe atë nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së
Hasani ka theksuar se garantuesi më i rëndësishëm për marrëveshjes mes të dyja palëve do të ishte NATO.
“Në momentin që Serbia e njeh Kosovën formalisht, kjo i hap rrugë Kosovës për organizata ndërkombëtare por është e rëndësishme të ketë një plan veprimi për anëtarësim në NATO. Sigurisht që palët nuk i besojnë njëra-tjetrës në nënshkrimin e kësaj marrëveshje dhe NATO-ja do të ishte garantuesja më e rëndësishme e Kosovës për ruajtjen e integritetit territorial”.
Sipas saj, bashkësia ndërkombëtare nuk e ka sanksionuar Serbinë lidhur me sulmin në Banjskë “për të mos e rrezikuar vazhdimësinë e dialogut” dhe jo pse ndërkombëtarët nuk janë të vetëdijshëm për atë që ka ndodhur atje.