Arbëri

Hasaj: Ndërmarrjet publike më shumë kryejnë funksionin për t’i rehatuar njerëzit e partive politike

Blendi Hasaj nga Instituti GAP ka thënë se gjendja në ndërmarrjet publike të Kosovës nuk është aspak e mirë. Si problemin kryesor, ai e ka cilësuar procesin e rekrutimit.

Hasaj ka thënë se ndërmarrjet publike s’kanë qenë asnjëherë prioritet i ndonjë qeverie. Ka shtuar se ndërmarrjet publike kanë probleme bazike.

“Te ndërmarrjet publike ka pas probleme të mëdha, që nuk kanë qenë prioritet i një ndonjë qeverie. Nuk na kujtohet se një parti e madhe ka ardhur në pushtet me ndreq gjendjen në ndërmarrjet publike. Më shumë kanë kryer atë funksionin që partitë politike t’i rehatojnë disa njerëz të afërt, aktivistë, por jo që të themi të kemi disa reforma të thella strukturore për përmirësimin e situatës. Që nga pas lufta, deri tash, përfshi edhe këtë vit, ka probleme të mëdha që nga ato bazike, siç është transparenca”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së.

Hasaj ka marrë shembull se si një ndërmarrje publike funksionon me 50 për qind të subvencioneve nga Qeveria.

“Pra, kjo ndërmarrje pa subvencionimin e Qeverisë nuk mund të funksionojë, edhe pse për të qytetarët paguajnë shërbime”, ka thënë ai.

Si një problem tjetër në ndërmarrjet publike, Hasaj e ka përmendur dhënien e grandëve e mbipunësimin.