Arbëri

Hargreaves flet me Abdixhikun për formimin e shpejtë të institucioneve pas zgjedhjeve

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves, ka thënë se në takimin e zhvilluar të enjten me liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kanë diskutuar për formimin e shpejtë të institucioneve pas zgjedhjeve të dhjetorit.

Hargreaves ka thënë se shpreson që fushata zgjedhore të zhvillohet pa probleme.

“Ishte kënaqësi të takoja këtë mëngjes kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Diskutuam rëndësinë e formimit të shpejtë të institucioneve pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Shpresa ime është që fushata zgjedhore të zhvillohet pa probleme, me synimin që pas zgjedhjeve të bashkëpunojmë për të mirën e vendit dhe të popullit të Kosovës”, ka shkruar Hargreaves në rrjetet sociale.

Hargreaves është takuar edhe me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ky i fundit ka njoftuar se në takim ëszhtë diskutuar për proceset nëpër të cilat po kalon vendi.

“Me ambasadorin Jonathan Hargreaves, biseduam për proceset në të cilat po kalon vendi dhe për avancimin e marrëdhënieve bilaterale mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Republikës së Kosovës. Ambasadorin Hargreaves e falënderova për angazhimin e tij dhe të Mbretërisë së Bashkuar në mbështetje të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.