Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se pasi i mbijetoi votëbesimit në Kuvendin e partisë, ka pasur takime me ambasadorë të ndryshëm ku ka diskutuar për domosdoshmërinë e formimit sa më të shpejtë të institucioneve.
Ai ka njoftuar se në dy ditët e fundit ka pritur në takime të ndara ambasadorin e Gjermanisë, Rainer Rudolph, dhe ambasadorin e Italisë, Maurizio Antonini.
“Po ashtu, gjatë këtyre ditëve kam pranuar urime për Kuvendin demokratik të Lidhjes Demokratike të Kosovës edhe nga e Ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati, si dhe nga Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreeves”, thuhet në shkrimin e Abdixhikut në Facebook.
Abdixhiku ka thënë se në takim i shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Italia, i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin LDK-së dhe Kosovës, “në të gjitha fazat e shtetndërtimit, konsolidimit demokratik dhe integrimit euroatlantik”.
“Këta partnerë mbeten aleatë të rëndësishëm të Republikës së Kosovës dhe mbështetës të demokracisë së saj”, ka shkruar ai.
Kryetari i LDK-së ka theksuar nevojën urgjente për stabilitet institucional dhe përgjegjësi politike.
“Në këto takime diskutuam për zhvillimet aktuale politike në vend, për qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës ndaj kësaj situate, si dhe për domosdoshmërinë e formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja dhe funksionale, në përputhje me vullnetin qytetar dhe parimet demokratike. Në të dyja rastet theksova nevojën urgjente për stabilitet institucional, përgjegjësi politike dhe veprime konkrete që u shërbejnë qytetarëve të Kosovës, zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies shoqërore”, ka shkruar Abdixhiku