Arbëri

Haradinaj viziton Merdarën dhe Policinë e Kosovës

Foto: ZKM

Në ditën e fundit të vitit 2019, kryeministri në detyrë Ramush Haradinajn ka vizituar në mbrëmje pikën kufitare të Merdares ku është njohur me punën që po kryen policia dhe Dogana e Kosovës në këtë pikë kufitare me Serbinë, e cila është e njohur për nga frekuentimi i madh i udhëtarëve sidomos gjatë kohës së pushimeve.

Ai me këtë rast ka uruar pjesëtarët e Policisë dhe Doganës së Kosovës për punën që po bëjnë dhe angazhimin e madh gjatë gjithë vitit që po e lëmë pas.

“Kam ardhur në shenjë falënderimi për të shprehur respekt për ata që janë në punë dhe shërbim kur ne të tjerët festojmë. Jeta vazhdon me ritmet e veta. Falënderoj drejtorin, nënkolonelin nga policia dhe nga dogana që vazhdojnë të shërbejnë për qytetarët që kthehen në atdhe në këtë kohë. Është gjesti që sonte t’iu themi faleminderit për këtë shërbim dhe punën që e bëjnë”, tha ai, raporton KSP.

Haradinaj ka folur edhe rreth mos implementimit të IBM-së nga ana e palës serbe sipas marrëveshjes së Brukselit për rregullimin e infrastrukturës në këtë pikë kufitare.

“Ka pasur dikur dakordim politik, sikurse e dini me dakordim është rregulluar infrastruktura e përbashkët, por ka disa paqartësi dhe shpresojmë t’i përmbyllim ndonjëherë, por është një shembull i mirë, pra shohim një infrastrukturë profesionale që mundëson punën dhe do të ishte shumë më lehtë për qytetarët e dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë dhe shpresoj që shumë shpejt do të rregullohet”, është shprehur Haradinaj.

Pas vizitës në pikën kufitare në Merdare, kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj ka qëndruar sonte edhe në mesin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilën janë në detyrë në këtë natë të ndërrimit të motmotit.

Gjatë kësaj vizite, Haradinaj ishte i shoqëruar nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Ekrem Mustafa dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj nga të cilët është njohur me gjendjen aktuale për natën e Vitit të Ri, e për të cilën u tha se është e qetë dhe pa incidente.

Ai me këtë rast ka lavdëruar punën që kryejnë pjesëtarët e Policisë së Kosovës në shërbim të qytetarit dhe shtetit.

“Në shenjë respekti dhe falënderimi për ju të nderuar pjesëtarë të policisë që jini në punë dhe këtu në dhomë operative dhe në gjithë vendim, kam ardhur t’ju falënderoj dhe t’ju shpreh respektin, t’ua përkujtoj juve se gjithë qytetarët e Kosovës janë falënderues dhe falë juve qytetarët mund të festojnë të qetë në shtëpi dhe familje”, tha Haradinaj.

Në mesazhin e tij për vitin 2020, kryeministri në detyrë tha se ka edhe disa gjëra që duhet të kryhen sikurse janë ligji për sigurime shëndetësore.

“Besoj se janë edhe disa punë që duhet t’i kryejmë si Kosovë, si institucione, është ligji për pensionim, ligji për sigurime shëndetësore për policinë që duhet t’i realizojmë... Policia e Kosovës është e mirë, profesionale dhe në zhvillim e sipër dhe do të ketë suksese në të ardhshmen”, tha Haradinaj.

Ndryshe, më herët gjatë këtij muaji Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë mjete shtesë për orët jashtë orarit për Policinë e Kosovës në vlerë prej 2 milionë euro.