Kryeministri Ramush Haradinaj në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, ka thënë se sipas raporteve ndërkombëtare Kosova ka bërë një përparim të ndjeshëm sa i përket lirisë së medias.
Haradinaj ka thënë se nuk do të ndalen deri në krijimin e një ambienti plotësisht të lirë e të sigurt për gazetarët.
“Liria nuk mund të jetë e pjesshme, prandaj i ftoj gazetarët kosovarë që të punojmë në partneritet të ngushtë, që ta ndryshojmë këtë gjendje. Liria e shprehjes dhe e shtypit janë levat e demokracisë, kësisoj të panegociueshme dhe duhet të shkojnë bashkë të integruar me përgjegjësinë”, ka shkruar ai në rrjetin social Facebook.
Organizata “Reporterët pa kufij” më 25 prill publikoi raportin e saj për lirinë e medies në të cilin Kosova hyn në mesin e shteteve me media pjesërisht të lira.
Mediat në Kosovë, sipas “Reporterëve pa kufij”, vuajnë nga ndërhyrjet e drejtpërdrejta dhe tërthorazi nga politika, presioni financiar dhe varësia nga pronarët. Gazetarët të cilët kritikojnë autoritetet kosovare shpesh akuzohen si tradhtarë ose “simpatizues të serbëve”.
Edhe
Haradinaj: Qeveria do të vazhdojë transparencën dhe dialogun e mirë me gazetarët
“Reporterët pa kufij” kanë përkujtuar rastin kur kryeministri Haradinaj i quajti gazetarët të pashkollë në një vizitë që ia bëri ministrit Pal Lekaj në ditët e para të qeverisë së tij, transmeton Koha.net.
“Pak ditë pasi kishte krijuar qeverinë në shtatorin e vitit 2017, kryeministri Ramush Haradinaj i quajti gazetarët ‘të pashkollë’ dhe i këshilloi që të kthehen në shkollë”, thuhet në përshkrimin e situatës së mediave në Kosovë.