Arbëri

Haradinaj: Që nga arrestimi i Gjuriqit në Kosovë, marrëdhëniet me Listën Serbe janë të ndërlikuara

Tashmë është bërë e zakonshme që seancat e Kuvendit të ndërpriten në mungesë kuorumi.

Kjo ndodhi edhe gjatë të enjtes, pavarësisht se në rend dite ishin edhe 13 pika të mbetura, raporton KTV.

LDK-ja, si parashtruese e interpelancës për Haradinajn, kërkoi përgjegjësi rreth ndarjes së subvencioneve në veri prej 2 milionë eurosh nga ministri i Bujqësisë, Nenad Rikallo.

Deputeti Lutfi Zharku ka thënë se këto mjete të ndara janë kryekëput për qëllime politike.

Në mbrojtje të ministrit Rikallo doli kryeministri.

Haradinaj ka thënë se Rikallo po bën punë të mirë në krye të ministrisë.

Por, veçoi se marrëdhëniet me Listën Serbe janë përkeqësuar pas arrestimit të Marko Gjuriqit.

Më i ashpër ndaj Haradinajt është shprehur shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti.

Ndërsa, Vetëvendosje e akuzon ministrin Rikallo se po i zbaton politikat e Serbisë në Kosovë, duke i diskriminuar qytetarët dhe favorizuar një komunitet.

Por, deputetë të pushtetit e shohin të panevojshme mbajtjen e kësaj interpelance.

Në fund të interpelancës, LDK-ja propozoi rezolutë, por nuk u hodh fare në votim, pasi deputetët munguan në sallë.