Ndonëse shpresat e AAK-së për dërgimin e emrit të anëtarit të kësaj partie tek presidenti për emërim në KQZ janë tek i pari i PDK-së Kadri Veseli, ky i fundit, me gjasë nuk do të mund ta kryejë këtë punë. Kjo pasi qeveria ka rënë, e koalicioni PAN që e kishte Veselin bartës të listës, nuk ekziston më.
Kështu të paktën i ka thënë Koha.net Zyra e për Informim e PDK-së. Mirëpo për një gjë të tillë duket se nuk është i informuar kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, pasi që ai e ka akuzuar Veselin se nuk po e dërgon emrin e Ibrahim Selmanajt për emërim në KQZ.
Ai ka thënë se Veseli si bartës i listës së ish-koalicionit PAN e ka dërguar emrin e kandidatit të PDK-së por jo edhe të tyrin.
Haradinaj në Interaktiv ka thënë se kreut të PDK-së, i takon t’i respektojë obligimet e marra dhe ta dërgojë sa më shpejt emrin e Ibrahim Selmanajt tek presidenti për emërim në KQZ.
“Ne e kemi një problem që nuk na ka ra me e fol por ne nuk kemi anëtar në KQZ. Veseli e ka dërguar të vetin por nuk e ka dërguar edhe tonin. Sepse ai ka qenë bartës i listës, nuk e ka dërguar kandidatin tonë, dhe ne shpresojmë që ta kryejë atë detyrë Veseli sepse i takon atij t’i respektoj obligimet e marra, që nëse e ka dërgu të vetin me e dërgu edhe tonin, bëhet fjalë për Ibrahim Selmanaj”, ka thënë Haradinaj.
Edhe
Presidenca nuk jep datë të zyrtarizimit të anëtarit të fundit në KQZ
Ndërkaq nga zyra e Veselit thonë se Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ka qenë edhe udhëheqës i koalicionit PAN, e kishte nisur me kohë procedurën e nominimeve të anëtarëve të koalicionit PAN në KQZ.
Sipas tyre gjatë asaj kohe, mosmarrëveshjet ndërmjet AAK-së dhe Nisma për përfaqësim në KQZ kanë bërë që kjo çështje të shkoj për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.
“Kryetari i PDK-së edhe pse kishte të drejtën qysh atëherë të nominojë anëtarin e PDK-së në KQZ, ka respektuar marrëveshjen mes partnerëve deri në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në përgjigjen e tyre për Koha.net
Ata thonë se duke parë që edhe pas vendimit të Kushtetueses nuk ka pasur marrëveshje mes dy subjekteve tjera, Veseli e ka nominuar përfaqësuesin e PDK-së në KQZ.
“Tani pas shpërndarjes së Kuvendit është një realitet i ri dhe nuk ka më grupe parlamentare. Tani i mbetet në kompetencë Presidentit të Republikës së Kosovës që të vendosë për hapat e mëtejmë në këtë çështje”, thonë ata.
E çështja e emërimit të Selmanajt të AAK tashmë ka mbetur në dorën e presidentit. Ditë më parë Koha.net ka provuar të marrë përgjigje nga Presidenca lidhur me emërimin e fundit në KQZ, këta të fundit nuk janë përgjigjur
Kujtojmë se vetëm edhe një anëtar i duhet Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) që të kompletohet. Pas emërimit të tetë anëtarëve të rinj politikë, ish-koalicioni PAN kishte kërkuar nga presidenti që në KQZ, të përfaqësohen si parti politike dhe jo si koalicion. Një kërkesë e tillë u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese e cila mori vendim që si koalicion kishin të drejtë të emëronin vetëm dy anëtarë.
Edhe
Presidenca: Kompletimi i KQZ-së do të bëhet sipas Kushtetutës dhe aktgjykimeve të saj
Listës së tetë anëtarëve dhe kryetares Valdete Daka, në gusht iu bashkua edhe anëtari i PDK-së, Ilir Gashi, por që emërimi i tij nuk e kompletoi këtë organ. Kishte mbetur që në mes AAK-së dhe Nisma-s të vendoset se cila do të duhej të dërgonte një anëtar në këtë institucion, një emër për emërim në KQZ e ka dërguar AAK-ja.
Në anën tjetër presidenti Hashim Thaçi ka shpallur datën e zgjedhjeve të parakohshme të cilat pritët të mbahen më 6 tetor.