Kandidatët e tyre për udhëheqësit e institucioneve ende nuk i kanë caktuar të gjitha partitë politike.
Ndonëse që nga vendimi i Kushtetueses janë deklaruar që janë të gatshëm për zgjedhjet dhe kanë kërkuar që ato të mbahen sa më shpejt.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë bërë të ditur se një gjë të tillë do ta bëjnë së shpejti.
“Ne ende nuk e kemi diskutuar këtë çështje në strukturat e partisë besoj që në ditët e ardhshme do të përmbyllet kjo çështje”, ka thënë kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.
Emrin e kryeministrit nuk e kanë ende as Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Rasim Selmanaj nga kjo parti, ka bërë të ditur për KOHËN se prijës i listës dhe kandidat për president do të jetë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Ditëve në vijim, sipas tij, do të vendoset edhe për atë të kryeministrit.
E vetmja parti që deri më tani ka zyrtarizuar kandidatin për kreun e Qeverisë është Partia Demokratike e Kosovës.
“Unanimisht gjithë anëtarët e kryesisë, përfshirë edhe z. Bedri Hamza, kanë vendosur që kësaj gare dhe listës sonë zgjedhore t’i prijë z. Hoxhaj”, është shprehur deputetja e PDK-së, Blerta Deliu në Interaktiv.
Por, të enjten nga kjo parti nuk kanë pranuar të tregojnë nëse tashmë kanë vendosur edhe për kandidatin që synon kreun e shtetit.
Lidhur me emrat e mundshëm për postin e kryeministrit ose atë të presidentit nuk kanë pranuar të japin nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, për dy ditë me radhë ka takuar përfaqësuesit e të gjitha partive politike në vend, për të diskutuar lidhur me datën e zgjedhjeve.
Për shpalljen e tyre, Osmani do të presë publikimin e aktgjykimit të plotë të Kushtetueses.