Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haradinaj s’ka qëndrim për kandidaturën e Osmanit për presidente

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, që në zgjedhjet e fundit kandidoi me ofertën për t’u bërë president i vendit, nuk ka treguar nëse deputetet e kësaj partie do të qëndrojnë në sallën e Kuvendit kur të votohet për kandidaturën e Vjosa Osmanit për presidente, raporton EO të enjten.

I pyetur për këtë në konferencën për media pas takimit që zhvilloi me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, Haradinaj u shpreh se “sot nuk ka një përgjigje”. Nuk ka treguar nëse deputetët e AAK-së do të qëndrojnë në sallë për të krijuar kuorumin e nevojshëm prej 80 deputetësh.

PDK-ja ka vendosur të mos e përkrahë për presidente Vjosa Osmanin, ndërkohë për qëndrimin në sallë apo jo, kreu i saj, Enver Hoxhaj, ka thënë se është çështje teknike.

Për zgjedhjen e presidentit në dy raundet e para duhen 80 vota, ndërkohë në raundin e tretë mjaftojnë 61, por me kushtin që në sallë të jenë 80 deputetë.