Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haradinaj: Policia nuk ka përdorur forcë të tepruar në aksionin në veri

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në mbledhjen e Qeverisë, ka folur për aksionin e Policisë në gjithë vendin për kapjen e zyrtarëve të dyshuar në Polici dhe Doganë lidhur me korrupsion e vepra të ngjashme.

Ai ka thënë se aksioni është zhvilluar në dy ditë në shumë zona të vendit, e së fundmi edhe në veri.

Në aksionin që përfundoi me dhjetëra të arrestuar e me disa policë të lënduar si pasojë e hasjes në rezistencë nga banorë në veri, Haradinaj ka thënë se Policia nuk ka përdorur forcë të tepruar.

“Me urdhër të prokurorit ka ndodh një operacion arrestimi/bastisjeje për të përfshirët në korrupsion e vepra të ngjashme. Aksioni është zhvilluar në dy ditë edhe në zona të tjera Drenas, Prizren e tash edhe në veri. S’ka qenë motivi kundër serbëve. Kam pa reagimin e Qeverisë së Serbisë. Kam apeluar të mos minohet përpjekja e Kosovës për luftimin e krimit. Policia e Kosovës ka qenë e kujdesshme, nuk ka përdorur forcë të tepruar”, ka thënë ai.



Pas mbledhjes së Qeverisë, Haradinaj ka përsëritur se aksioni s’kishte të bënte me asgjë tjetër, pos kapjes së individëve të dyshuar për përfshirje në kontrabandë.

“Ju siguroj që operacioni dyditor është në shkallë vendi, kundër individëve të involvuar në trafiqe, kontrabandë e vepra të jashtëligjshme. Janë policë, zyrtarë doganierë. Krejtësisht zbatim i ligjit. Policia e Kosovës është e aftë të kryejë detyrën e vet. E kam përcjellë nga afër. Është për admirim profesionalizmi i Policisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Haradinaj ka thënë se reagimi i Serbisë është i padrejtë duke shtuar se “është e pakuptimtë me u vu në mbrojtje të krimit në baza të caktuara”.

Edhe Haradinaj dyshon se aksioni në veri është për fushatë, kërkon sqarime Arbëri Haradinaj dyshon se aksioni në veri është për fushatë, kërkon sqarime

“S’ka nevojë për këso retorike nga Serbia e as nga askush. Zbatimi i rendit, ligjit, luftimi i krimit është vlerë evropiane. Është rend e ligj. Serbia aspiron të hyjë në BE, duhet të përkrahë luftimin e krimit. Është në interes të të gjithëve. Kosova mendoj se ka kryer punë të mirë. Kemi pa deklarimin e BE-së që respektojnë përgjegjësitë e Kosovës për të zbatuar ligjin në gjithë territorin e Kosovës”, ka shtuar Haradinaj.

Ai më tej ka folur edhe për arrestimin e dy zyrtarëve të UNMIK-ut. Ka thënë se Kosova respekton imunitetin e tyre, por nëse ata rrezikojnë sigurinë, merren masa në bazë të ligjit.

“Ne respektojmë imunitetin e përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare. Respektojmë konventat, të gjitha të drejtat e përfaqësuesve të misioneve. Nëse një nga ta, si rasti i shtetasit rus, rrezikon sigurinë e vendit, ne respektojmë ligjin në bazë të konventave ndërkombëtare. S’po dua ta lidh këtë rast individual me agjendën e Rusisë. Dihet agjenda e Rusisë. Destabilizimi. Jemi të vëmendshëm dhe mendoj se jemi të suksesshëm në punë”, ka shtuar ai.