Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haradinaj dyshon se aksioni në veri është për fushatë, kërkon sqarime

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur dyshime se aksioni i së martës në veri të Kosovës kundër kontrabandës, mund të ketë qenë veprim i Qeverisë si pjesë e fushatës për zgjedhjet lokale.

Ai në një postim në Facebook ka kërkuar sqarime që të vërtetohet se aksioni ka qenë në ndjekje të krimit.

“Askush nuk ka të drejtë të ngre dorë ndaj policit të Kosovës. Huliganët dhe banditët duhet të burgosën dhe shteti duhet të jetë i pakompromis ndaj tyre. Secili që sulmon policinë e Kosovës dhe e prish rendin publik, duhet ta marrë dënimin e merituar. Ne duam të besojmë që aksionet e sotme, të kenë qenë pjesë e planit të rregullt operativ të policisë në ndjekje të krimit. Veç se qeveria e ka për detyrë ta sqarojë edhe opinionin publik edhe veten, për përzgjedhjen e momentit kohor për kryerjen e këtyre operacioneve. Nëse është e mundshme duhet të hiqet çdo dilemë, se këto aksione mund të jenë kryer për efekte elektorale. Në mbështetje të Policisë së Kosovës”, ka shkruar ai.

Sot Policia ka marrë aksion të gjerë për luftimin e kontrabandës në disa qytete të Kosovës. Janë arrestuar tetë qytetarë, ndërsa në veri ka pasur rezistencë prej serbëve. Po ashtu janë shpallur në kërkim edhe pesë të dyshuar të tjerë.