Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Opozita mirëpret vendimin për vizat

Pas vendimit për liberalizmin të vizave për kosovarët kanë reaguar edhe liderët e partive opozitare.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqiq ka thënë se vendimi është i vonuar, por i merituar.

“Vendimi i Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, edhe pse shumë i vonuar, është mëse i merituar e i mirëseardhur. Prandaj, para se gjithash, sot urimet i meritojnë qytetarët tanë. Shpresoj që ky vendim të hyjë në fuqi sa më parë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ndërsa kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka uruar qytetarët për përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave, derisa e ka quajtur lajm të mrekullueshëm vendimin e Parlamentit Evropian.

Ai ka shkruar në Facebook të martën se është momenti që Kosova të marrë sa më parë konfirmimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe fillimin e Partneritetit për Paqe.

“Lajm i mrekullueshëm nga Parlamenti Europian, që sot hoqi pengesën e fundit për liberalizimin e vizave për Kosovë! Falënderim i veçantë për eurodeputetët për marrjen e këtij vendimi meritor dhe për gjithë ata që kontribuan që ky proces të përmbyllet me sukses. Tani është momenti që Kosova po ashtu ta marrë sa më shpejt konfirmimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe fillimin e Partneritetit për Paqe.Urime Kosovë”, ka shkruar Haradinaj.

Për këtë ka reaguar edhe Qeveria e Kosovës.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, deklaroi se trajtimit të padrejtë të qytetarëve i erdhi fundi me përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave.

Ai shkroi në Twitter të martën se kjo është ditë e paharrueshme për Republikën e Kosovës dhe moment historik “për një të ardhme brenda familjes evropiane”.

“Një ditë e paharrueshme për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj pasi liberalizimi i shumëpritur i vizave miratohet përfundimisht nga Parlamenti Evropian. Një trajtim i padrejtë dhe i padrejtë më në fund e sheh fundin. Ne e festojmë këtë moment historik dhe presim me padurim një të ardhme brenda familjes evropiane”, shkroi Abdixhiku.

Artikuj të ngjashëm