Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Xhaçka për liberalizimin e vizave: Të përmbyllet ky proces i vonuar sa më shpejt

Ministrja e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka mirëpritur vendimin e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian, që i hap rrugë liberalizimit të vizave për Kosovën.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, Xhaçka ka thënë se ky proces i vonuar duhet të mbyllet sa më shpejt.

“Le të shpresojmë që pas një vonese kaq të gjatë dhe të pajustifikuar procesi të përmbyllet sa më shpejt dhe qytetarët e Kosovës të mund të lëvizin lirshëm në zonën Shengen”, ka shkruar ajo.

Ky vendim është mirëpritur edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka thënë se ky ka qenë një hap i vonuar dhe se BE-ja më në fund po e heq nga vetja njollën e turpit për trajtimin që i ka bërë Kosovës.

“Një hap i vonuar padrejtësisht me vite u hodh sot nga BE-ja, e cila më në fund po e heq nga vetja njollën e turpit të trajtimit të Kosovës si të ishte një vend jashtë Evropës. Urime jo vetëm Kosovës, po edhe Bashkimit Evropian”, ka shkruar Rama në Facebook.

Pas miratimit në Këshillin e Ministrave të BE-së, Kosovës i ka mbetur vetëm edhe një hap drejt liberalizimit të vizave. Parlamenti Evropian duhet të votojë unanimisht në një seancë plenare.

Edhe Begaj uron liberalizimin e vizave: Arritje e vonuar Arbëri Begaj uron liberalizimin e vizave: Arritje e vonuar

Liberalizimi i vizave për Kosovën pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2024.