Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haradinaj për arrestimet në Gllogjan: Askush s’mund të fshihet pas krimit

Për arrestimin e tre të dyshuarve në rastin e sulmit në Gllogjan, ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se është mesazh që askush s'mund të fshihet pas krimit. Haradinaj shkroi në Facebook se i përgëzon organet e rendit për punën.

“Përshëndes kapjen e të dyshuarve për krimin që ndodhi në Gllogjan disa javë më parë. Ky është një mesazh i qartë se askush nuk mund të fshehet pas krimit dhe se drejtësia do të arrijë te secili. Organet e rendit dhe drejtësisë i përgëzoj për punën e tyre intensive në dobi të ndriçimit të rastit që na ka tronditur të gjithëve”, thuhet në statusin e tij.

Tre persona janë arrestuar për vrasjet e 26 nëntorit në Gllogjan të Deçanit, ka konfirmuar Prokuroria Themelore e Pejës të shtunën në mbrëmje.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Agim Kurmehaj, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Pejë, ka thënë se prokurorja e çështjes ka lëshuar vendimin për ndalim për 48 orë për të arrestuarit.