Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim sot një delegacion të Parlamentit të Landit të Bavarisë, të kryesuar nga kryetari Thomas Kreutzer.
Haradinaj tha se rrugëtimi ekonomik i Landit të Bavarisë, duke qenë motor i rëndësishëm në gjenerimin e vendeve të punës, është shembull i mirë që Kosova duhet ndjekur, duke zbatuar në praktikë politikat për arsimin dual, mbrojtjen dhe mbështetjen e investimeve.
Ai para anëtarëve të Parlamentit të Landit të Bavarisë, ka shpalosur planet konkrete të qeverisë për zhvillim ekonomik, rritjen e investimeve direkte, duke shprehur gatishmërinë që në këtë drejtim të krijohet partneritet i qëndrueshëm dhe afatgjatë me Gjermaninë.
Haradinaj e ka falënderuar delegacionin gjerman, për mbështetjen e vazhdueshme e Gjermanisë në procesin e liberalizimit të vizave.
“Jemi mirënjohës për përkrahjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë Kosovës si në aspektin politik, po ashtu edhe në atë ekonomik, andaj kërkojmë që ky bashkëpunim bilateral të vazhdojë edhe më tutje në fushat e interesit reciprok, me fokus të posaçëm ekonominë”, tha Haradinaj, duke shtuar se Kosova ofron potencial konkret për të fuqizuar partneritetin dhe këmbimet tregtare me Gjermaninë.
Edhe
Haradinaj: Qëndrimi i Gjermanisë për mosndryshim të kufijve është tejet i rëndësishëm
“Ne kemi krijuar Parkun Inovativ Trajnues në Prizren, si një oazë për investimet gjermane dhe kosovare dhe jemi angazhuar direkt që kjo të funksionojë dhe po vazhdojmë punën në këtë drejtim. Po ashtu, në pothuajse çdo sektor, Kosova ka çka ofron për tregun gjerman dhe ky është synimi ynë, orientimi i tregut drejt këtij partneriteti”, tha ai.
Në këtë takim, është biseduar për zhvillimet e përgjithshme në vend, me theks perspektivën euroatlantike të vendit, zhvillimin ekonomik dhe mundësitë e shumta ekonomike që ofron Kosova, për investimet direkte gjermane. Më tej, Haradinaj tha se kontributi i kancelares Merkel në procesin e Berlinit është i rëndësisë jetike për fuqizimin e rolit të Kosovës në këtë proces.