Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Haradinaj: Kurti të pezullojë vendimin për targat deri në arritjen e marrëveshjes për njohje të ndërsjellë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradniaj, i ka bërë thirrje kryeministrit, Albin Kurti, që të pezullojë zbatimin e vendimit për targat deri në arritjen e marrëveshjes për njohje të ndërsjellë.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Haradinaj gjithashtu i ka bërë thirrje kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, që të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme në të cilën do të miratohej rezoluta e AAK-së, për tejkalimin e situatës së krijuar.

Një kërkesë Haradinaj ia ka bërë edhe presidentes Vjosa Osmani. “Po ashtu i kërkoj presidentes të marrë rol aktiv në qetësimin e situatës dhe në kapërcimin e ngërçit të krijuar. I ftoj të gjithë qytetarët serbë që të përmbahen nga aktet e dhunës dhe të mos bien pre e kalkulimeve politike të regjimit në Beograd”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Sipas tij është momenti i fundit që qeveritë në Beograd e në Prishtinë, të ulen e të bien në ujdi për marrëveshjen e paqes për njohje, e të heqin dorë nga veprimet që sipas tij, rrezikojnë jetët e njerëzve.