Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti duhet të dorëhiqet dhe ta kthejë mandatin te populli.
Haradinaj në Facebook ka reaguar pas “dështimit të djeshëm” në Bruksel.
"Situata e krijuar pas dështimit të djeshëm në Bruksel, me tendencë të thellimit të krizës, me pasoja të rënda për popullin e Kosovës, kërkojnë reflektim urgjent nga Kurti dhe qeveria e tij. Ai duhet të dorëhiqet dhe ta kthejë mandatin te populli. Këtë veprim duhet ta bëjë edhe nëse ai mendon se është në rrugë të drejtë. Ai obligohet ta pyes popullin se çka mendon për veprimet e tij. Në demokraci zgjedhjet janë përgjigja më e mirë", ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se në rast se Kurti nuk reflekton, ai duhet të shkarkohet me mocion.
"Në rast të mungesës së reflektimit të Kurtit, mbetet përgjegjësi e ne të tjerëve, të bashkohemi e të veprojmë urgjent për ta dërguar vendin në zgjedhje, duke e shkarkuar Kurtin përmes mocionit të mosbesimit. Është koha ta pyesim popullin se si të dalim nga kjo gjendje e rrezikshme", është shprehur Haradinaj.
Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq u takuan dje në Bruksel, takim që në fund nuk pati ndonjë rezultat. BE-ja ka thënë se Vuçiqi e kishte pranuar propozimin e tyre, por jo edhe Kurti. Kryeministri i Kosovës pas takimit ka thënë se qëndrimi i Serbisë është bërë qëndrim i BE-së. Akuza për njëanshmëri të BE-së ka pasur edhe nga akterë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, partia në pushtet që udhëhiqet nga Kurti.