Arbëri

Haradinaj: Duhej të pranohej me kohë kërkesa amerikane, tash mund të mos ketë zgjidhje të përkryer

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se Qeveria e Kosovës është dashur të pranonte me kohë kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të shtyrë vendimin për çështjen e targave ilegale. Në një shkrim në Facebook Haradinaj ka thënë se tash duhet të gjendet një zgjidhje, “e cila mund të mos jetë e përkryer”.

Megjithatë, sipas Haradinajt, “pa zgjidhje për gjendjen në veri të vendit, situata është keq dhe drejt eskalimit”.

SHBA-ja dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë patën kërkuar që Kosova ta shtyjë për 10 muaj vendimin për ndëshkim të atyre që bartin targa ilegale të lëshuara nga Serbia dhe që refuzojnë t’i konvertojnë në RKS. Serbët në veri kanë dhënë dorëheqje në shenjë proteste, ndërsa çështja është diskutuar ditëve të fundit në nivel të krerëve të shtetit të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, por nuk është arritur marrëveshje.

SHBA-ja ka kërkuar edhe dy ditë shtesë për marrëveshjen dhe kjo është pranuar nga Qeveria e Kosovës. Sot (e mërkurë) Kosova dhe Serbia do të takohen në Bruksel në nivel kryenegociatorësh.

Situata në veri është përmendur si arsye nga Presidenca Çeke e BE-së që të hiqet nga agjenda edhe çështja e liberalizimit të vizave.